Telegrafi

Vazhdon kërkimi për personin që dyshohet se ka mbetur nën gërmadhat e Hotel “Adriatikut” (Video)

Punimet e ekskavatorëve për pastrimin e rrënojave nga vendi i shembjes së një pjese të Hotelit “Adriatiku” në Mitrovicë janë ndalur, ndërkohë që vazhdojnë përpjekjet për shpëtimin e një personi që dyshohet të ketë mbetur brenda rrënojave.

Bëhet e ditur se ekipet e shpëtimit tani janë duke vazhduar punën me dorë, për largimin e rrënojave.

Ndalimi i punës së ekskavatorëve për pastrimin e rrënojave ka ardhur për shkak të rrezikut nga shembja e mëtejme e objektit.

Ekipeve të shpëtimit, në përpjekje për të shpëtuar personin, që dyshohet se ka ngelur nën rrënoja, i janë bashkangjitur edhe zjarrfikësit, me pajisjet e tyre.

Lexo po ashtu Shembet një pjesë e Hotelit "Adriatiku' në Mitrovicë, dyshohet se një person ka ngelur nën gërmdha (Foto/Video)

Ndryshe, katër punëtorë kanë qenë duke punuar në ish-hotelin “Adriatiku” në momentin e shembjes, ku tre prej tyre kanë arritur të dalin, derisa një dyshohet se ka mbetur brenda.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet policore, ekipet e zjarrfikësve dhe ambulancat.

Komandanti i Policisë në Rajonin e Mitrovicës, Ahmet Gjosha, i ka thënë Telegrafit se të gjitha njësitet e shpëtimit po bëjnë përpjekje që të nxjerrin personin, i cili ka mbetur brenda.

Edhe kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, u ka bërë apel organeve të sigurisë të japin maksimumin për shpëtimin e tij./Telegrafi/