Greva e Shoqatës së Transportit të Udhëtarëve do të vazhdojë derisa Qeveria e Kosovës të fillojë me zbatimin e marrëveshjes për subvencionim.
Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar kryetari i SHTU-së, Ruzhdi Kurtishaj duke shtuar se nuk do të ketë transport rrugor as ditëve në vazhdim.
“Pa u zbatuar çështja e pagesës nuk ka kthim prapa, derisa nuk ka zbatim të marrëveshjes nga Qeveria, nuk ka transport rrugor. Kur Qeveria merr vendim dhe fillon të bëjë pagesat atëherë jemi në rregull. Protesta vazhdon”, ka thënë Kurtishaj.
SHTU të premten e kaluar në shenjë proteste ka parakaluar me autobusë në kryeqytet, ndërsa ndaljen e ka bërë para objektit të Qeverisë.
Pas paralajmërimit të kësaj greve, kishte reaguar kryeministri në detyrë Avdullah Hoti, duke thënë se janë të gatshëm të takohen për siç ka thënë ai për gjetjen e një zgjidhje të favorshme për këta operatorë.
“Kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti kërkon nga Shoqata e Transportuesve të Udhëtarëve, që sa më parë të kthejnë shërbimet për qytetarët, ndërkohë që shpreh gatishmërinë për diskutim me përfaqësuesit e këtij sektori me qëllim të gjetjes së një zgjidhje sa më të favorshme”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.
Greva e Shoqatës së Transportit të Udhëtarëve, që vendosen që të ndalin qarkullimin e autobusëve ka filluar ditën e mërkurë. /Telegrafi/