Site icon Telegrafi

​Vazhdon greva e kompanive të linjës së autobusëve Podujevë-Prishtinë

Është duke vazhduar greva e kompanive të linjës së autobusëve Podujevë-Prishtinë për shkak të pakënaqësisë ndaj vendimit të komunës së Prishtinës që të mos i lejojë autobusët nga kjo linjë të futen në qendër të qytetit.

Operatorët e kësaj linje thanë se do të vazhdojnë grevën deri në anulimin e vendimit nga komuna e Prishtinës.

Anëtari i Shoqatës së Transportit “Llapi”, Blerim Hyseni thotë se kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, e ka marrë një vendim pa paralajmërim. Ai shton se kanë përkrahje nga Ministria e Transportit. Tutje, Hyseni thotë se komuna i ka detyruar që të ndalen dhe se do të qëndrojnë aty deri në shfuqizimin e vendimit.

“E kanë marrë një vendim, e ka marrë një vendim kryetari i komunës pa paralajmërim, nuk e ka lajmëruar as Shoqatën e Transportit, vetëm na ka ndaluar duke thënë se nuk kemi të drejtë të hyjmë në Prishtinë. Sa i përket Ministrisë së Transportit, kemi pasur takim me kryetarin dhe ai na ka përkrahur. Pëlqimi nga ministria nuk e kanë, për momentin ata e kanë bërë shkeljen. Ligji që është në fuqi nuk lejon që të merret një veprim i tillë nga kryetari Rama. Ne jemi ndaluar këtu, ashtu si na kanë ndaluar ata, ne nuk jemi ndalur vetë, dhe do të qëndrojmë deri në shfuqizimin e vendimit”, tha ai.

Një tjetër anëtar i kësaj shoqate, Beqir Mustafa, tha se do të vazhdojnë grevën sa të jetë e nevojshme, deri në plotësimin e kërkesave. Ai akuzon komunën e Prishtinës për marrjen e një vendimi të paligjshëm.

“Ne nuk kemi pasur kontakt me komunën, ata duhet të na thërrasin, por nuk na kanë thirrur, nuk ka lëvizur asgjë. Do të qëndrojmë këtu, 1 muaj, 1 vit, nëse është nevoja, sepse pa u marrë një vendim në favor tonë, nuk tërhiqemi nga greva. Është e paligjshme ajo që kanë bërë, na kanë ndaluar në Bërnicë, ku nuk ka kushte. E kanë shtruar beton në një fushë të thatë dhe thonë se duhet të zbrazim udhëtarët e Podujevës, të kthehemi në autostradë ose në stacion, dhe pastaj sërish të kthehemi prej stacionit për t’i marrë ata që do të zbrazin”, shtoi Mustafa.

Muajt e fundit ka pasur disa mosmarrëveshje mes kompanive të transportit të linjës Podujevë-Prishtinë dhe Komunës së Prishtinës. Operatorët e kësaj linje kanë bërë të ditur se do të vazhdojnë grevën deri në tërheqjen e vendimit nga komuna e Prishtinës./kp/

Exit mobile version