Telegrafi

Vazhdon aksioni “Brezovica”, bastisje në disa lokacione

Me urdhër të Prokurorisë Themelore në Ferizaj dhe në bashkëpunim me Policinë e Kosovës – Drejtorinë për Krime të Rënda në Prishtinë, është duke vazhduar aksioni “Brezovica ” përkatësisht, urdhër kontrolli në objektin e Komunës së strukturave paralele në Shtërpcë, për shkak të dyshimit të veprave penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare, marrje dhe dhënie të ryshfetit.

Aksioni ka nisur mëngjesin e sotëm, ndërsa janë duke u bastisur disa lokacione.

Lajmin e ka konfirmuar për Telegrafin, Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Ferizaj, Shukri Jashari.

“Po mund të ju konfirmoj se është duke vazhduar aksioni”, tha shkurtimisht ai.

Lexo po ashtu Aksioni "Brezovica", rreth 30 të arrestuar deri tani, zyrtarë e ish zyrtarë të ministrive - të sekuestruara para dhe prona

Ndryshe, më 21 dhjetor të vitit të kaluar, Policia e Kosovës se bashku me Prokurorinë Themelore të Ferizajt kanë nisur aksionin “Brezovica”, ku deri tani nën pranga janë vënë rreth 30 persona, përfshirë këtu ish kryetarin e komunës së Shtërpcës, Bratislav Nikoliq, zyrtarë tjerë të kësaj komune, e po ashtu zyrtarë të lartë të Ministrisë së Infrastrukturës, nën pranga u vënë edhe pronar të kompanive të ndryshme ndërtimore.

Prokuroria Themelore e Ferizajt ka njoftuar se personat që janë arrestuar dyshohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare, marrje, dhënie të ryshfetit, si dhe ushtrim i ndikimit.

Aksioni “Brezovica” kishte filluar më 21 dhjetor të vitit 2021, ku nga aksioni i parë rezultuan të arrestuar 10 persona, në mesin e tyre ishte edhe ish kryetari i Komunës së Shtërpcës Bratislav Nikoliq dhe nëntë zyrtarë tjerë të kësaj komune.

Për ish-kryetarin e Komunës së Shtërpcës, Bratislav Nikoliq, Prokuroria kishte njoftuar se dyshon se ka përfituar 1 milion euro nga dhënia e lejeve për ndërtim të vilave në zonën e Brezovicës.

Në aksionin e 21 dhjetorit ishin bastisur 10 lokacione në regjionin e Ferizajt, Prishtinës dhe në Shtërpcë, ku janë sekuestruar para, armë, vetura si dhe disa dokumentacione.

Pas arrestimit, Gjykata Themelore në Ferizaj e ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji për dhjetë personat e arrestuar më 21 dhjetor në rastin ‘Brezovica’. /Telegrafi/