Telegrafi

Vazhdohen pezullimet për McGregor dhe Khabib, Nurmagomedovit i lirohen një milion dollarë

Momenti i triumfit të Khabib Nurmagomedov ndaj Conor McGregor (Foto: Harry How/Getty Images/Guliver)

Komisioni Atletik i Shtetit të Nevadas ua ka vazhduar pezullimet dy yjeve të UFC-së, Conor McGregor dhe Khabib Nurmagomedov, derisa të kryhet një hetim në lidhje me përfshirjen e tyre në incidentet që ndodhën pas meçit për titullin në kategorinë e peshave të lehta.

Pas triumfit në duelin e Las Vegasit më 7 tetor, ylli nga Dagestani doli nga tetëkëndëshi dhe nisi një përleshje me pjesëtarë të ekipit të irlandezit.

Nga ana tjetër, edhe McGregor u ndesh me disa anëtarë të ekipit të Nurmagomedovit.

Lexo po ashtu Lajmet për KHABIB

Pas këtyre ngjarjeve, Komisioni Atletik i Shtetit të Nevadas e kishte mbajtur përfitimin e Khabibit prej dy milionë dollarësh.

Mirëpo, në mbledhjen e re të bordit është vendosur që të lirohen gjysma e parave (një milion dollarë), derisa të tjerat do të mbahen deri në një seancë disiplinore dëgjimore që do të mbahet në muajin dhjetor.

Khabib Nurmagomedov dhe Conor McGregor (Foto: Harry How/Getty Images/Guliver)

Nga të dy yjet e UFC-së është kërkuar të paraqiten personalisht në seancën dëgjimore.

Lexo po ashtu Lajmet për MCGREGOR

Suspendimi për dy yjet e MMA-së ishte vendosur më 15 tetor, ndërsa komisioni vendosi unanimisht që t’ua vazhdojë pezullimet deri në mbledhjen e ardhshme, kur edhe pritet që të zgjidhet çështja.

“Kam mësuar se Komisioni Atletik i Shtetit të Nevadas është duke bërë një hetim të plotë, nga i cili jam i bindur se do të përfitojë klienti im”, ka thënë Audie Attar, menaxheri i McGregor. /Telegrafi/