Komisioneri për Zgjerim dhe Fqinjësi i Bashkimit Evropian, Oliver Varhelyi, ka mirëpritur arritjen e marrëveshjes për liberalizmin e vizave për Kosovën, në mes të Presidencës së Këshillit të Bashkimit Evropian dhe Parlamentit Evropian.
Përmes një postimi në Twitter, Varhelyi ka thënë se puna për luftimin e krimit të organizuar ka dhënë rezultate të prekshme në terrem.
“E mirëpres marrëveshjen për liberalizimin e vizave për Kosovën. Puna jonë e përbashkët për të luftuar krimin e organizuar solli rezultate të prekshme në terren”, ka shkruar ai, duke shtuar se BE-ja qëndron në krah të njerëzve në Ballkanin Perëndimor.
I welcome the agreement on visa liberalisation for #Kosovo.
Our joint work to fight organised crime brought tangible results on the ground.
The EU stands with the people in the Western Balkans.— Oliver Varhelyi (@OliverVarhelyi) December 15, 2022
Presidenca e Këshillit dhe përfaqësuesit e Parlamentit Evropian të mërkurën kanë arritur marrëveshje për projekt-rregulloren për udhëtimin pa viza për qytetarët e Kosovës.
Siç bëhet e ditur, tani duhet të miratohet nga Këshilli dhe Parlamenti Evropian përpara se të kalojë procedurën formale të miratimit.
Rregullat e reja do t’i lejojnë kosovarëve të udhëtojnë në BE pa vizë për një periudhë qëndrimi prej 90 ditësh në çdo periudhë 180 ditore.
Ky përjashtim nga kërkesa për vizë do të zbatohet nga data e fillimit të funksionimit të Sistemit Evropian të Informacionit dhe Autorizimit të Udhëtimit (ETIAS) dhe në çdo rast jo më vonë se 1 janari 2024.
“Kosova ka bërë përparim të dukshëm në të gjitha blloqet e udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave. Në bazë të këtij vlerësimi, Komisioni propozoi heqjen e vizave për mbajtësit e pasaportave të lëshuara nga Kosova. Përjashtimi nga kërkesa për vizë do të sigurojë që i gjithë rajoni i Ballkanit Perëndimor të jetë nën të njëjtin regjim vizash”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/