“Vardar Dolomit” është kompania e radhës e cila ka qenë mysafir në emisionin më të ri të Telegrafi Maqedoni, i udhëhequr nga drejtori Venhar Ramadani, në bashkëpunim me OEMVP-në, i cili është dritare e re për promovimin e bizneseve dhe ndërmarrësve në vend.
Kemi biseduar me drejtorin ekzekutiv të kompanisë, Remzi Abdullai, i cili tregoi për prodhimin e tullave metalurgjike në “Vardar Dolomit”, kushtet e punëtorëve, si dhe planet për të ardhmen.
Ai tha se kjo kompani për momentin vepron si kapital i jashtëm, pasi në vitin 2003 është privatizuar nga një kompani turke.
“Kjo kompani ka filluar me punë në vitin 1964/65. Në vitin 2003 është privatizuar nga një kompani turke, ndërsa momentalisht funksionon si kompani private ose kapital i jashtëm. Puna jonë vlerësohet në bazë të eksportit. Eksporti për momentin është afër 200-300 ton në Maqedoni, ndërsa 7 deri 8 ton jashtë Maqedonisë. Eksporti bëhet në vende të ndryshme të botës, SHBA, Japoni, Turqi, Katar, Afrikë të Jugut, Brazil dhe vende të tjera”.
“Produkti kryesor që e transportojmë janë tulla, me të cilat mbështillen agregatet metalurgjik. Këto tulla kanë efekte pozitive në metalurgjinë e zezë. Eksporti bëhet në bazë të cilësisë, e cila është në bazë të xehes që e ka Maqedonia dhe e cila është ndër më të mirat në botë”, tha Remzi Abdullai.
Ai na tregoi se ata si kompani punojnë 24 orë në ditë, 365 ditë në vit.
“Fuqia punëtore është afër 150, administratë nuk kemi vetëm fuqi punëtore dhe inxhiniera, të cilët janë nga rrethina e të gjithë qytetet e vendit. Rroga mesatare në kompaninë tonë është 650 euro”, tha Abdullai.
Si sfidë më të madhe të në kompaninë e tij, ai e përmendi fillimin e pandemisë COVID-19.
“Atëherë kishte ndalesë të punës për shkak të kufizimeve dhe mbylljes së kufijve. Kishim pasoja të vogla, ndërsa asnjë punëtorë nuk u largua nga puna”, theksoi Abdullai.
Ai njoftoi se planet e tyre për të ardhmen janë që ta rrisin prodhimtarinë e kompanisë. Ndërsa të gjithë ndërmarrësit i këshilloi që të ofrojnë kushte më të mira./Telegrafi/