Teknologjia VAR (video asistenca e gjyqtarit) do të shfrytëzohet në ndeshjet gjysmëfinale të Kupës EFL (të njohur edhe si Carabao Cup) ndërmjet Chelseat dhe Arsenalit.
Po ashtu, kjo teknologji do të përdoret edhe në finalen e muajit të ardhshëm, por jo edhe në ndeshjet gjysmëfinale ndërmjet Manchester Cityt dhe Bristol Cityt.
Dueli ndërmjet Brighton & Hove Albion dhe Crystal Palace që zhvillohet sot (e hënë) nga ora 20:45, do të shënojë herën e parë të përdorimit të VAR-it në një ndeshje zyrtare në Angli.
Në vitin 2016, Bordi i Federatës Angleze të Futbollit ishte pajtuar që kjo teknologji të testohej për dy vite.
VAR mund të përdoret në katër situata që mund ta ndryshojnë ndeshjen: gola, vendimet për penallti, kartonët e kuq dhe rastet e gabimit të identitetit nga gjyqtari.
Kreu i gjyqtarëve në Angli, Mike Riley, ka thënë se teknologjia nuk do të jetë asnjëherë qind për qind e përsosur.
Sipas tij, gjithmonë do të ketë debate duke qenë se është subjektive në gjëra të caktuara.
Që nga përdorimi në Kupën e Botës për Klube në dhjetor të vitit 2016, VAR-i është vendosur edhe në Kupën e Konfederatave të vitit 2017 dhe përdoret në garat vendore në Gjermani dhe Itali. /Telegrafi/