Romelu Lukaku e ka gjetur lumturinë e tij te Interi dhe nuk do të pendohet kurrë që u largua nga Manchester Unitedi – ka deklaruar Robin van Persie.
Ish-sulmuesi i Djajve të Kuq beson se belgu është duke shkëlqyer në Itali, pasi e kishte humbur rrugën në Old Trafford.
Në rast se Nerazzurrët dhe Unitedi i fitojnë gjysmëfinalet respektive në Ligën e Evropës (ndaj Shakhtar Donetskut dhe Sevillas), Lukaku do ta ketë mundësinë t’ia tregojë vlerat e veta ekipit anglez në finale.
“Ai (Lukaku) duket i lumtur, Conte i angazhon shumë lojtarët e tij – (Stefan) De Vrij më ka thënë njëherë se përgatitjet parasezonale janë shumë të rënda. Mund t’i shohësh se ata funksionojnë si një tërësi”.
“E ka bërë zgjedhjen e duhur; atij i është kthyer vetëbesimi. Po kalon çaste të mrekullueshme, duket i lumtur. Bazuar në vitin e tij të fundit te Manchester Unitedi, nuk ishte i tillë, prandaj e ka gjetur sërish lumturinë”, ka deklaruar legjenda holandeze për Stats Perform News.
Lukaku i kaloi dy sezone të Djajtë e Kuq prej se iu bashkua nga Evertoni në vitin 2017, duke shënuar 28 gola në 66 paraqitje në Ligën Premier. Ndërsa në sezonin e tij të parë në Serie A, i ka realizuar 23 gola në 36 paraqitje. /Telegrafi/