Trajneri i Barcelonës, Ernesto Valverde, ka mbajtur një takim treorësh me bordin klubit për të diskutuar rreth të ardhmes së Philippe Coutinhos dhe Ivan Rakiticit.
Sipas Mundo Deportivos, trajneri spanjoll është takuar me drejtorin teknik të skuadrës katalunase për të biseduar rreth të ardhmes së dy lojtarëve, nëse duhet të qëndrojnë në skuadër apo të shiten në këtë verë.
Edhe pse e fitoi La Ligan, Barcelona pati paraqitje zhgënjyese në Ligën e Kampionëve dhe Kupën e Mbretit, duke i lëshuar nga duart.
Skuadra katalunase është duke tentuar t’i transferojë disa lojtarë në verë, por fillimisht duhet të qartësohet e ardhmja e Coutinhos dhe Rakiticit.
Që të dy lojtarët kanë zgjuar interesimin e Manchester Unitedit dhe disa klubeve të tjera, mirëpo ende nuk është bërë e ditur nëse ata do të shiten.
Valverde e sheh Ivan Rakiticin si pjesë të planeve të tij, ndërsa nuk është i gatshëm që të heqë dorë as nga Coutinho.
Trajneri i Barcelonës i vlerëson të dy lojtarët më shumë se Arthur Melon dhe Arturo Vidalin, mirëpo do t’i marrë mendimet edhe të krerëve të skuadrës se çfarë do të ndodhë me të ardhmen e dyshes. /Telegrafi/