Trajneri i Barcelonës, Ernesto Valverde, ka pranuar superioritetin e Real Madridit në Superkupën e Spanjës, edhe pse ai beson se diferencat mes dy ekipeve do të zvogëlohen gjatë sezonit.
Valverde pranon se Reali ishte më i mirë, por ai beson se ekipi i tij do të përmirësohet dukshëm.
“Ne kemi humbur këtë titull, është e vërtetë, por ne kemi nisur më mirë takimin, kemi dominuar. Ne jemi dënuar nga disa gabime, nga pakujdesia. Shumë gjëra do të ndryshojnë në La Liga, pasi Superkupa është fundi i parasezonës”.
“Ne duhet të jemi më të sigurtë, duhet të fitojmë, duhet të jemi më të saktë në finalizim. Kanë ndodhur disa gjëra në parasezonë që kanë ndikuar në balancin e ekipit”.
“Coutinho gati për Betisin? Nuk e di”.
“Sa i përket transferimeve ne duhet ta balancojmë disa gjëra dhe duhet të ketë disa ndryshime, e trajnerët nuk mund të merren me ato punë, ne duhet të punojmë për rezultate”, tha Valverde.
I pyetur nëse Reali është i pamposhtshëm, ai tha se një ditë edhe Los Blancos do të pësojnë humbje.
“Ajo është tashmë pjesë e të kaluarës, nuk ka ekip i pamposhtshëm, nëse është një gjë e sigurtë në sport ajo është se të gjithë do të humbasin një ditë, kështu edhe Reali”, përfundoi Valverde. /Telegrafi/