Trajneri i Barcelonës, Ernesto Valverde e ka konfirmuar se skuadra e tij e ka kontaktuar tashmë Atletico Madridin për të diskutuar një marrëveshje të mundshme për Antoine Griezmann.
Fituesi i Kupës së Botës, Griezmann ka qenë një pjesë jetike e skuadrës së Diego Simeone gjatë pesë viteve të fundit, duke fituar tri tituj të mëdhenj, përfshirë edhe Ligën e Evropës.
28-vjeçari ka qenë gjithashtu golashënuesi më i mirë i Atleticos në secilën prej pesë sezoneve të fundit, ndërsa përfundoi i treti në votimin për Topin e Artë në dy raste të ndara.
Mendohet se Barcelona është duke e udhëhequr garën për nënshkrimin e tij edhe një herë dhe Valverde ka konfirmuar se një qasje zyrtare tashmë është bërë.
“Është e vërtetë që tashmë kemi bërë kontakte”, ka thënë fillimisht Valverde.
“Është e vërtetë që kontaktet janë në vazhdim, por sezoni nuk ka mbaruar ende. Ne kemi finalen e Copa Del Rey ende për të luajtur”.
“Kemi mundësinë të fitojmë dy tituj dhe duhet të përpiqemi të përqendrohemi në këtë çështje”.
“Më pas do të kemi kohë për gjithçka tjetër – nuk do të themi asgjë të re kur flasim për lojtarët e ekipeve të tjera”.
“Do të shohim. Griezmann është një lojtar i madh. Gjithmonë kemi thënë kështu”, përfundoi trajneri spanjoll. /Telegrafi/