Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) njofton se në mbledhjen e fundit të Bordit ka zgjedhur Valon Tolajn në pozitën e drejtorit menaxhues.
AKP sipas një njoftimi për media tregon se Tolaj është zgjedhur në një mandat katër vjeçar.
“Bordi i Drejtorëve i Agjencisë Kosovare të Privatizimit mbajti mbledhjen e rregullt. Në këtë mbledhje Bordi i Drejtoreve ka emëruar Valon Tolaj në pozitën drejtor menaxhues me mandat prej katër vitesh. Mandati i Tolajt fillon me 26 nëntor 2018”, thuhet në njoftim, përcjell Telegrafi.
Muajin e kaluar AKP e ishte shkarkuar Ekrem Hajdarin nga pozita e drejtorit menaxhues.
Kujtojmë se Tolaj muaj më parë kishte dhënë dorëheqje nga detyra e sekretarit organizativ të Aleancës së Ardhmërisë së Kosovës, parti që udhëhiqet nga kryeministri Ramush Haradinaj.
Ai ka shërbyer në strukturat e AAK-së për shumë vjet, derisa një kohë udhëhoqi Forumin Rinor të partisë dhe zgjedhjet e fundit kandidoi për Asamblenë Komunale të Prishtinës.
Po ashtu, Bordi në këtë mbledhje ka shqyrtuar dhe miratuar disa propozime të procesit të privatizimit. /Telegrafi/