Valon Berisha nuk ka kaluar momente të mira te Lazio në vitin e tij të parë.
Mesfushori kosovar e kishte të vështirë të ambientohet tek skuadra italiane, por kishte edhe probleme të mëdha me lëndime.
Kësisoj e ardhmja e tij te Lazio është në pikëpyetje, edhe pse skuadra italiane shpenzoi 7,6 milionë euro për transferimin e tij.
Mediat italiane kanë raportuar se Lazio po mendon ta dërgojë në huazim një vjeçar kosovarin për ta rimarrë formën më të mirë.
26-vjeçari këtë edicion ka zhvilluar vetëm tetë ndeshje në Serie A, ku vetëm në njërën nga to ka qenë titullar, ndërsa ka edhe pesë sfida të luajtura në Ligën e Evropës si dhe një tjetër në Kupën e Italisë.
Është ish-skuadra e Berishës, Red Bull Salzburg që ka shprehur gatishmërinë ta marrë në huazim një vjeçar reprezentuesin e Kosovës.
Salzburg i ka garantuar një vend në formacionin bazë ku Berisha do të mund të rikthente formën e tij më të mirë.
Me rikthimin në Salzburg, Berisha do të mund të luaj edhe në Ligën e Kampionëve me kampionët e Austrisë. /Telegrafi/