Site icon Telegrafi

Vallja e Gurrës së Lashtë

Nga: Angjelina Lekaj

Vallja e Gurrës së Lashtë është një motiv i qëmotshëm i valles popullore, i ruajtur brez pas brezi, që buron nga gojëdhënat e popullit mirditor që prej viteve 1600 sipas dëshmisë nga një intervistë e gjatë me të moshuarin domgjonas Prend Pacin. Ky motiv erdhi në ditët tona rreth viteve 1986-1987 dhe u prezantua për herë të parë në Festivalin Folklorik Kombëtar në vitin 1988. Që nga viti 1968 zhvillohej në Shqipëri çdo pesë vjet Festivali Folklorik Kombëtar në Gjirokastër. Në vitin 1985, pas diplomimit në Universitetin e Arteve të Bukura në Tiranë, kam filluar aktivitetin tim artistik në Pallatin e Kulturës Rrëshen, si koreografe e rrethit Mirditë në periudhën 1985-1990, dhe jam marr sidomos me hulumtimin e vlerave të kërcimit popullor mirditor.

Koreografia e një vallje është art kompleks, mbasi për pak minuta që luhet në skenë, kërkon një numër të madh njerëzish, duke filluar nga grupi burimor i valles, te grupi i realizimit përfundimtar i saj, orkestra me instrumentistët, drejtues muzike, koreograf, skenograf, etnolog, rekuizite etj. Merita e realizimit të kësaj vepre koreografike i përket të gjithë masës së njerëzve, ku çdo pjesëmarrës nga kjo masë njerëzish e njeh veprën nga këndvështrimi dhe përjetimi personal. Ndërsa përgjegjësinë kryesore për realizimin e saj e kisha unë si koreografe.

Ndër shekuj kishte mbetur ky motiv vallje në kujtesën e brezave dhe erdhi deri në ditët tona falë punës që bëmë për ta risjellë në skenë. Dega e Koreografisë ne Akademinë e Arteve zhvillonte asokohe ekspedita të ndryshme folklorike në zona të ndryshme të Shqipërisë, nga Veriu ne Jug. Këtë përvojë e vazhdova dhe mbas fillimit të punës. Mbas emërimit tim në Mirditë, kam rënë fatmirësisht në gjurmët e këtij motivi, të cilin do ta përshkruaj në vijim. Gjatë një ekspedite folklorike në Fan, ekipi i ekspeditës kërkimore; unë, poeti Gjok Beci dhe etnografi piktor Lin Loci shkuam në Domgjon, ku unë u takova rastësisht me te moshuarin nga Domgjoni, Prend Pacin.

Prendi ka lindur në Domgjon në vitin 1903. Ishte njeri që kishte përvojë të madhe jetësore, shkollën e jetës dhe zgjuarsi natyrore.

Sapo mbërritëm në fshatin Domgjon, pamë një të moshuar që po rrinte qetësisht nën hijen e një peme. Ndjeva se ishte momenti më i përshtatshëm për të biseduar me të. U ndava nga dy kolegët që shkuan në Shtëpinë e Kulturës në qendër të fshatit dhe e përshëndeta të moshuarin, duke e pyetur nëse mund të kuvendoja me të. Plot mirësi dhe entuziazëm ai pranoi. U ula përtokë përballe tij dhe biseda nisi fillimisht me temat e përditshmërisë nga jeta në Fan, jeta e tij familjare, periudha e pleqërisë, pastaj kaluam te kujtimet e përvojave të ndryshme të jetës që nga fëmijëria. Në atë bisedë e përqendrova vëmendjen te festat dhe motivet e tyre. Duke mos ndërprerë bisedën, e pyesja herë mbas here shkurtimisht: Ke pasë lidhje të ngushtë me gjyshin tënd? Po stërgjysh a ke pasë njohur? Ç’tregonin te moshuarit në fëmijërinë tënde mbi festat e atëhershme? I bëra një sërë pyetjesh të njëpasnjëshme gjatë gjithë bisedës të cilat e çuan kujtesën e tij në detaje të hollësishme dhe në bisedë e sipër më tregoi se në fëmijerinë e tij kishte dëgjuar nga të vjetrit mbi një festë që lidhej me burimin e ujit që shterohej asokohe herë mbas here. Nga nevoja për ujë, njerëzit e asaj kohe menduan si ta ruanin burimin që të mos shterej. Një ditë mblodhën gjithë banorët dhe biseduan që secili të sillte një sasi lesh delje dhe shporta me (voe) vezë. Leshin e deleve e përzien me vezët. Me këtë masë përzierje ndërtuan një mur rreth burimit të ujit dhe, duke e shtypur fort me këmbë, ngjeshnin murin rreth gurrës. Ky lloj veprimi u kthye në ritualin e festës se ujit.

Gjate rrëfimit, i moshuari demonstroi lehtë me gjuhën e trupit lëvizjet që bëheshin me këtë rast. Sipas këtij rituali këndohej e kërcehej rreth gurrës. Pyetjes se çfarë instrumentesh muzikore përdoreshin, Prendi i dha këtë përgjigje: Me britma lajmdhënëse dhe triumfale, ku ritmi shoqërohej dhe me gurë, kumbonë bagëtish, me poça, tepsia, me një fjalë me gjithçka njerëzit mund të prodhonin tinguj dhe të krijonin ritmin e valles.

E diskutova temën e kësaj vallje të lashtë me Gjok Becin, Lin Locin dhe Mark Pacin, drejtor i shtëpisë së Kulturës në Fanë dhe i sugjeruam Markut që ta sillte si motiv valleje nga grupi burimor i Fanit për konkurrim në mes grupeve artistike të zonave te Mirditës, në Pallatin e Kultures Rreshen.

Merita e amatoreve te asaj kohe: Gjergj Shytit, Fran Laska e Fran Pershqefa, si dhe grupit të valltareve të Shtëpisë së Kulturës në Fan është se e sollën në konkurrim këtë motiv që koreografja e rrethit, Angjelina Lekaj, e transformoi në një koreografi të plotë për Festivalin Folklorik Kombëtar, me të gjithë parametrat e plotë, sa u gjykua nga specialistët në Tiranë si e përshtatshme për t’u paraqitur nga grupi folklorik i Mirditës në Festivalin Folklorik Kombëtar të vitit 1988.

Demonstrimi i ndërtimit te burimit të Gurrës nga valltarët e mbledhur krah për krah me thirrje majë krahu, veshur me veshjet e vjetra të pirustëve mirditorë, që në brez kishin qemerin e kuq dhe veshje prej shijaku/leshi të dizajnuara nga kostumologu dhe piktori i Pallatit te Kulturës, Lin Loci. Muzika u realizua me instrumentet tradicionale si poça, kusi, luge, gure, çifteli, fyej, kumbone bagëtishë… etj., nën drejtimin e Mark Gjokës, drejtues Muzike i Pallatit te Kulturës në Rrëshen. Rekuizitat, instrumentet tradicionale, buliera, lesh delesh etj. u sollën nga Mark Paci.

Valltarët demonstronin ndërtimin e murit rreth burimit, duke e shtypur atë fort me këmbë dhe e shoqëronin me gurgullimat e ujit dhe thirrjet lajmdhënëse triumfale Në fund vinte festimi i ndërtimit të Gurrës, kërcyer prej të gjithë valltarëve se bashku, vajza dhe djem me buliera uji… në struktura të ndryshme koreografike; në rreth, krah për krah, në dyshe dhe treshe…

Ky motiv valleje fillimisht interpretohet nga valltarët e shtëpisë së Kulturës në Fan, drejtuar nga Gjergj Shyti. Ky grup burimor e solli vallen në procesin e përzgjedhjes së artit folklorik sipas procedurës së Festivalit, në Pallatin e Kulturës në Rrëshen. Pas aprovimit nga ana ime si koreografe e rrethit të Mirditës, ftuam të jepte mendimin specialisti njohësi ndërkombëtar i etnokoreografisë folklorike shqiptare, Ramazan Bogdanin. Profesor Bogdani ishte etnomuzikolog dhe etnokoreolog në Institutin e Folklori e vlerësoi këtë valle si një jehonë lashtësie.

Vallja e Gurrës së Lashtë u interpretua në Festival nga valltari i moshuar nga Fani, Gjergj Shyti, dhe të rinjtë Hil Gjaci,Terezina dhe Vera Buraku, si dhe nga valltarët e Pallatit të Kulturës në Mirditë: Gjergj Lleshaj, Gjon Karagjozi, Fran Gjergji, Sul Cara, Ndre Toma… etj. Në Festival kjo valle u vlerësua si kryevepër koreografike e Festivalit.

Exit mobile version