Në ditën e çlirimit, vajza e ish-kryeparlamentarit Jakup Krasniqi ka kujtuar luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Përmes një shkrimi në rrjetin social Facebook, Gresa Krasniqi është shprehur e indinjuar dhe e zhgënjyer me neglizhencën e Qeverisë karshi ish-komandantëve të UÇK-së që po mbahen në Hagë.
“Shoh se si e gëzojnë lirinë ata që asnjëherë nuk deshën të largoheshin nga robëria, dhe vuajnë ata që i dhanë fund Serbisë fashiste. Shoh fëmijë të dëshmorëve të harruar, e veteran të një lufte të egër, të poshtëruar nga institucionet e shtetit, të cilit i falën gjithçka! Dita e çlirimit sot, por a jemi vërtet të çliruar? Me çlirimtarët që mbahen padrejtësisht në qendër të paraburgimit, ndërsa gjykimi zvarritet. Dhe kemi një gjykate raciste, e cila u themelua nga injoranca e shumë kujt, e shumëkush po i vuan pasojat e sajë! U formua nga deputetë të padijshëm por rrënjët i ka thellë në Beograd!”, ka shkruar ajo.
Gresa po ashtu nuk ka lënë pa kritikuar as kryeministrin Albin Kurtin duke thënë se ai e ka amnistuar presidentin serb Aleksandar Vuqiqin, e nuk e ka thënë asnjë fjalë për Jakup Krasniqin.
“Dita e çlirimit sot, por ndihemi të dënuar e të harruar. Kryeministri i Republikës së Kosovës në mes të SHBA-së amniston krahun e djathtë të Millosheviqit, Vuçiqin ndërsa për homolgun e atëhershëm të tij në Kosovë, Jakup Krasniqin, asnjë fjalë! Kush është më i pafajshëm se Jakup Krasniqi?!”, ka përfunduar ajo. /Telegrafi/