Telegrafi

Vagonët me naftë në Donetsk u bënë shkrumb e hi – shkaktarë të zjarrit ishin ‘ushtarët e dehur rusë’

Mëngjesin e ditës së enjte, vagonëve të naftës në një depo hekurudhe në Donetsk thuhet se iu është vënë zjarri.

Dhe sipas asaj që pretendon faqja e internetit “Nexta”, zjarri në depon hekurudhore në Donetsk nuk ishte ndonjë sulm nga forcat ukrainase.

Siç pretendon kjo faqe, ishin “ushtarët rusë të dehur” ata që ishin përgjegjës për shkaktimin e zjarrit.

Në reportazhin e “Nexta” thuhet se ushtarët që ruanin vagonët kanë ndezur një zjarr për t’u ngrohur, por ai është përhapur në vagona dhe ka shkaktuar një zjarr të madh.

Ndërkohë, siç raportojnë mediat, autoritetet e Donetskut njoftuan se zjarri ishte lokalizuar.

Nuk ka të dhëna zyrtare për dëmet e shkaktuara dhe lëndimet e mundshme në këtë incident.

Ndërsa “Nexta” bën me dije se dy ushtarët që morën pjesë në ngjarje janë transportuar në spital. /Telegrafi/