Site icon Telegrafi

Ushtria ukrainase shtien në ajër, për ta qetësuar turmën që ia kishte mësyrë trenave për t’u larguar në zona më të sigurta

Ushtria ukrainase është detyruar të shtie në ajër, për të ndalur turmën në stacionin kryesor të trenave në Kiev, ku mijëra qytetarë tentuan të futen nëpër trena dhe të evakuohen.

Turmat ishin aq të mëdha, sa që nuk kanë mundur të gjithë të futen nëpër trena nga Kievi deri në Lavov në perëndim të vendit, nga frika se sulmet ruse do të jenë edhe më agresive, transmeton Telegrafi

Kur treni u ndal në peron, qytetarët ia mësynë vagonëve, duke shpresuar se do të futen në ta – e disa madje me fëmijë dhe kafshë shtëpiake.

Aty u krijua një situatë kaotike, ku ushtarët u detyruan të shkrepin disa plumba në ajër për të shpërndarë turmën.

Maria 30-vjeçe, hoqi dori nga tentimi që të largohet, pasi disa orë i kaloi duke pritur në peron së bashku me bashkëshortin djalin dhe qenin e tyre.

“Po e shihni edhe vet, është rrezik t’i afrohesh turmës kur je me fëmijë”, tha ajo.

Edhe disa studentë të huaj gjithashtu tentuan të largohen, e në mesin e tyre edhe një vajzë nga Mongolia, e cila ishte në platformë dhe pranoi se i është ofruar së bashku me kolegët mundësia që të evakuohen. /Telegrafi/

 

Exit mobile version