Seria e parë e dronëve iranian, që Rusia më herët i porositi përbëhej nga 1.750 sosh.
Megjithatë, mbrojtja kundërajrore e Ukrainës ka arritur t’i rrëzojë rreth 70 për qind të fluturakeve pa pilot, që pushtuesit rusë i lansuan mbi Ukrainë, transmeton Telegrafi.
Kirilo Budanov, kreu i kundërzbulimit ushtarak të Ukrainës, gjatë një interviste dhënë për Obozrevatel, ka thënë se seria e parë e porositur e dronëve përbëhej nga 1.750 dronë, ku më pas pasoi porosia e re.
“Duhet ta kuptoni që prodhimi dhe porositja e tyre nga Rusia, nuk është proces i menjëhershëm. Ata po zhduken gradualisht, e iranianët po i prodhojnë të rinj, por ekziston edhe ana tjetër e kësaj pyetje: ne vazhdimisht po rrëzojmë rreth 70 për qind të të gjithë dronëve”, shtoi Budanov.
Sipas kreut të kundërzbulimit ushtarak të Ukrainës, Kremlini po ballafaqohet me mungesë të raketave, e në veçanti të Iskanderve, ku sipas ukrainasve nëpër depot ruse është zvogëluar “prania” e këtyre raketave në 13 për qind. /Telegrafi/