Po vazhdon evakuimi i banorëve në qytetin ukrainas që ushtria ruse e bombardoi digën me tetë raketa, si shenjë “hakmarrje” ndaj kundërofensivës ukrainase.
Kryvyi Rih, është vendlindja e presidentit Volodymyr Zelensky, që ishte cak i sulmeve ajrore ruse, që brenda natës goditën digën Karachun, transmeton Telegrafi.
E si pasojë e këtij sulmi është dëmtuar diga dhe stacioni i pompave të ujit, duke bërë që një sasi e madhe e ujit të derdhet në lumin Inhulets dhe të rritet niveli dhe madje të del nga shtrati.
Rrugët e qytetit si dhe shtëpitë për pak orë u mbushën me ujë, derisa urat janë shembur nga ujërat e rrëmbyeshëm që kalonin nën to.
Kyrylo Tymoshenko, nga zyra e presidentit Zelensky, ka thënë se dy zona të qytetit – që para luftës kishte 650 mijë banorë, po rrezikohen nga përmbysjet.
Banorët e këtyre zonave janë urdhëruar të largohen dhe të kërkojnë strehim në zonat më të sigurta.
E kjo sasi e madhe e ujit ka filluar të lëviz në drejtim të Khersonit, ku sipas të gjitha gjasave do të shemb ura tjera që ushtria ukrainase po i përdor për të sulmuar rusët në këtë rajon.
Pamjet amatore shfaqin digën e shkatërruar, dhe ujin duke rrjedhur në të gjitha anët e qytetit të lindjes së Zelensky. /Telegrafi/