Telegrafi

Ushtria e Putinit në ‘telashe shumë të mëdha’ shkon në vitin 2023 – thotë majori amerikan në pension

Lufta e Rusisë kundër Ukrainës duhet të “kulmojë” deri në verën e vitit 2023, sipas një zyrtari në pension të ushtrisë amerikane.

Majori në pension John Spencer ka thënë se ai nuk ndan mendimin se lufta do të zgjasë me vite siç kanë parashikuar të tjerët, për shkak të fuqisë së Ukrainës në fushën e betejës dhe mbështetjes nga aleatët perëndimorë, përcjell Telegrafi.

“Unë mendoj se është e qartë se Putini nuk do të heq dorë lehtë nga qëllimet e tij. Atij nuk i intereson se sa ushtarë rusë do të vdesin”, tha Spencer. “Por ushtria ruse është në telashe, telashe shumë të mëdha. Putini dëshiron të ngadalësojë luftën. Atij i duhet kohë për t’u dhënë të paktën pak stërvitje ushtarake mijëra njerëzve që u detyruan të hyjnë në shërbimin ushtarak”.

“Në këtë pikë, unë nuk shoh ndonjë drejtim në të cilin ushtria ruse mund të përparojë. Qëllimi i tyre i vetëm është të mbajnë atë që kanë marrë dhe unë mendoj se as ata nuk do të kenë sukses”.

Ndërsa Hilary Appel, profesoreshë në “Claremont McKenna College” në Claremont, Kaliforni, i tha Newsweek se Rusia ka mundësi të tjera për mbështetje ushtarake, si Irani dhe Koreja e Veriut.

Dronët e Iranit kanë një ndikim të rëndësishëm në luftë, tha ajo, në fushën e betejës dhe në llogaritjet e vendeve të tjera si Izraeli, i cili ka treguar përmbajtje për shkak të konsideratave të veta strategjike.

“… Por logjistika e dobët e ushtrisë ruse dhe një strukturë komanduese joefektive, e kombinuar me trupat ukrainase të trajnuar mirë dhe shumë të motivuar, ia dolën të ndalonin avancimin dhe të de-okuponin territorin e pushtuar”. /Telegrafi/