Telegrafi

Ushtari ukrainas përshkruan situatën në Soledar: Këtu askush nuk po i numëron të vdekurit

Forcat ruse kanë intensifikuar sulmet nga dje në qytetin ukrainas Soledar, e sipas zyrtarëve separatistë pro-rusë, qendra e qytetit gjendet nën kontrollin e forcave ruse.

Megjithatë, luftimet në periferi po vazhdojnë, kurse CNN ka vënë kontakt me një ushtar ukrainas, i cili po lufton në këtë rajon si pjesë e brigadës së 46-të të motorizuar, transmeton Telegrafi.

Gjatë përshkrimit të situatës në Soledar, ushtari ukrainas theksoi sesi askush më nuk po i numëron të vdekurit.

“Situata është kritike. E rëndë. Do të rezistojmë deri në frymën e fundit. Askush nuk mund t’ju tregojë sa të vdekur apo plagosur janë. Këtë askush nuk e di me siguri të plotë. As edhe një person. Pozicionet vazhdimisht ndryshojnë. Shtëpia në të cilën sot ishim ne, nesër në të mund të jenë pjesëtarët e Wagnerit apo e kundërta”, tha ky ushtar.

Kur bëhet fjalë për pozicionin e ushtrisë ruse dhe njësive të Wagner, ushtari ukrainas thotë se nga e marta mbrëma nuk po dihet se kush cilin pozicion e ka.

“Askush me siguri nuk mund të thotë se ku gjendet dhe cilin pozicion po e ruan. Ekziston një zonë e madhe gri në qytet për të cilën pretendojnë se e kanë nën kontroll, por është thjesht propagandë e tyre”, shtoi ukrainasi. /Telegrafi/