Telegrafi

Ushtari i kapur rus pranon se e kuptoi që gjithçka ishte e gabuar kur mësoi se Usyk dhe Lomachenko u angazhuan në mbrojtjen e Ukrainës

(Foto: Twitter/Screenshot)

Një ushtar i kapur rus ka pranuar se filloi ta vinte në dyshim vendimin e Vladimir Putinit për ta pushtuar Ukrainën, atëherë kur Oleksandr Usyk dhe Vasyl Lomachenko u angazhuan në mbrojtjen e Ukrainës.

Ai ka thënë se konsideroi që sulmet ruse ishte qind për qind të gabuara në çastin kur i pa dy boksierët e tij të preferuar t’i kapnin armët dhe ta mbronin vendin e tyre.

Oleksandr Usyk – kampion i botës në kategorinë e peshave të rënda në divizionet WBA, IBF, WBO dhe IBO – dhe boksieri në kategorinë e peshave të lehta, Vasyl Lomachenko, u kthyen në Ukrainë për ta mbrojtur vendlindjen nga Rusia.

Në një video të publikuar nga zyrtarët ukrainas, i burgosuri i luftës shpjegoi se si media shtetërore ruse e portretizon Ukrainën si një vend që ka nevojë për shpëtim nga kontrolli i nacionalistëve dhe nazistëve.

“Qartësisht, tash jam 100 për qind gabim. Mos gjykoni shumë ashpër. Na është thënë se Ukraina po dominohet nga fashistët… nazistët kishin marrë pushtetin. Ne nuk e dinim situatën e vërtetë”.

Lexo po ashtu Revanshi i Joshuas ndaj Usyk për titullin botëror në peshën e rëndë është në dyshim pas luftës në Ukrainë

“Kur hymë në këtë territor i pashë mesazhet e boksierëve tuaj (Olexander Usyk dhe Vasily Lomachenko). Në shtëpi, gjithmonë më pëlqente t’i shikoja”.

“Ata thanë: ‘Ne nuk ju kemi ftuar këtu’. Ndjehem i turpëruar që erdhëm në këtë vend”, citohet të ketë thënë ushtari rus.

Usyk do të duhej të ishte duke u stërvitur për rimeçin sensacional ndaj Anthony Joshuas, mirëpo ai ndodhet në Kiev, ku është regjistruar në njësitë mbrojtëse të kryeqytetit ukrainas. /Telegrafi/