Telegrafi

Ushtarët ukrainas që u kapën nga Rusia thonë se janë rrahur gjatë burgosjes: “Pashë djem që u sollën me brinjë të thyer”

Ushtarët ukrainas nga regjimenti Azov, të cilët u burgosën nga Rusia pas betejës për Mariupol, kanë thënë se janë rrahur gjatë burgosjes së tyre.

Ushtarët, të cilët u liruan si pjesë e një shkëmbimi të të burgosurve, thanë gjatë një konference për shtyp në internet se panë ushtarë që u rrahën derisa iu thyen kockat.

“Ata na zhveshën, na detyruan të ulemi, derisa ishim të zhveshur. Nëse ndonjë nga djemtë ngrinte kokën, ata filluan t’i rrihnin menjëherë”, tha Denys Chepurko, një luftëtar nga regjimenti Azov që u lëndua rëndë.

Chepurko tha se ai ishte rrahur gjatë marrjes në pyetje dhe iu kërkua të nënshkruante një deklaratë që denonconte komandën e tij.

“Unë thashë se nuk do ta bëja këtë – dhe ata filluan të më rrihnin me shkopinj, të më kërcënonin me vdekje, të qëllonin”, tha ai. “Pashë djem që u sollën me brinjë të thyera, në gjendje shumë të rëndë”.

Pretendimet nuk mund të verifikoheshin në mënyrë të pavarur. /Telegrafi/