Telegrafi

Ushtarët ukrainas ‘po japin jetën’ për të shmangur një fatkeqësi të dytë të Çernobilit

Luftimet kanë shpërthyer në Çernobil pasi ushtarët rusë përpiqen të marrin ish-centralin bërthamor, ka thënë presidenti i Ukrainës.

Ushtarët ukrainas “po japin jetën e tyre” për të shmangur përsëritjen e katastrofës bërthamore të vitit 1986, tha Presidenti Volodymyr Zelensky, përcjell Telegrafi.

“Forcat pushtuese ruse po përpiqen të marrin centralin e Çernobilit. Mbrojtësit tanë po japin jetën që tragjedia e vitit 1986 të mos përsëritet”, ka thënë tutje ai.

Pak minuta më parë, këshilltari i Ministrisë së Brendshme, Anton Gerashchenko, njoftoi se luftimet ishin duke u zhvilluar pranë depove të mbetjeve bërthamore të Çernobilit, ku forcat ruse hynë nga Bjellorusia.

“Nëse depoja do të shkatërrohej nga sulmet e artilerisë nga kundërshtari, pluhuri radioaktiv do të mbulonte Ukrainën, Bjellorusinë dhe vendet e BE-së”, shtoi ai.

Kreu i ushtrive ukrainase tregoi më parë se “katër raketa balistike ishin lëshuar” nga Bjellorusia “në drejtimin jugperëndimor”.

Centrali ishte vendi i aksidentit më të keq bërthamor në botë në prill të vitit 1986, kur një reaktor bërthamor shpërtheu dhe shpërndau mbetje radioaktive në të gjithë Evropën. Vendi shtrihet 130 kilometra në veri të kryeqytetit të Kievit.

Vetëm 187 njerëz jetojnë zyrtarisht brenda zonës 30 kilometra rreth termocentralit. Megjithatë, zona është bërë një vend i rëndësishëm ekologjik vitet e fundit. /Telegrafi/