Bisedimet e paqes këtë javë midis Rusisë dhe SHBA-së që synojnë t’i japin fund luftës trevjeçare në Ukrainë nuk u kanë bërë përshtypje trupave ukrainase të vijës së parë, të cilët nuk shohin përfundim të shpejtë të luftimeve nëse Kievi lihet jashtë negociatave.
Duke kapur një pushkë, një ushtar ukrainas kujtoi rezistencën e ashpër të vendit të tij në javët e para të agresionit rus në shkurt 2022 dhe sugjeroi se vendi i tij mund ta bënte përsëri nëse do të ishte e nevojshme.
Në çdo rast, ai deklaroi se nuk ka shpresa të mëdha tek presidenti i SHBA-së, Donald Trump, shkruan Reuters, përcjell Telegrafi.
“Nuk mund të tradhtohesh nga një person nga i cili nuk prisje asgjë”, tha ushtari.
Një tjetër ushtar, i njohur si “Pruzhynka”, ishte po aq shpërfillës ndaj bisedimeve SHBA-Rusi të mbajtura në Arabi Saudite.
“Ndoshta ata vendosën diçka atje – por ky është mendimi i tyre”, tha 21-vjeçari.
Raportohet se përpjekja e Trumpit për një paqe të shpejtë me Moskën, ndërsa mënjanoi Ukrainën, ka shkaktuar frikë tek shumë ukrainas dhe aleatët e tyre.
Por trupat e vijës së parë thonë se janë të vendosur të luftojnë, duke përmendur tre vjet sakrifica të hidhura dhe humbjen e dhjetëra mijëra bashkëluftëtarëve.
Edhe presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky ka hedhur poshtë çdo marrëveshje të bërë pas shpinës së Ukrainës dhe ka kërkuar garanci të forta sigurie nga partnerët e Kievit përpara se të binte dakord për ndonjë zgjidhje. /Telegrafi/