Site icon Telegrafi

Ushtarët rusë: Nuk e dimë se ku jemi dhe cilës njësi i përkasim

Një grup i ushtarëve rusë të mobilizuar që aktualisht gjenden në Ukrainë, kanë publikuar një video ku ankohen për mospagesë dhe mungesë të udhëheqjes adekuate.

Kjo është vetëm një nga një sërë videosh të ushtarëve rusë të pakënaqur, që kur Moska nisi një pushtim të plotë të Ukrainës shkurtin e kaluar.

Forcat ruse më së shpeshti ankohen për pajisje dhe trajnime të pamjaftueshme dhe një strukturë të dobët komanduese, transmeton Telegrafi.

Regjistrimi i fundit është shpërndarë për herë të parë në kanalin Telegram të agjencisë së pavarur të lajmeve Astra.

Lexo po ashtu NATO ka ndryshuar strategjinë e saj, në rast të një sulmi rus - nuk do të lejojë as pushtimin e përkohshëm të territorit

Videoja tregon ushtarët e mobilizuar nga rajonet e Moskës dhe Ivanovës duke bërë një sërë ankesash, duke përfshirë se ata nuk e dinë as vendndodhjen e tyre të saktë, raporton Newsweek.

Familjet e tyre konfirmuan për Astra, se ushtarët u transportuan pranë kufirit me Ukrainën për stërvitje dhe transferim të mëtejshëm në një njësi ushtarake lokale.

Mirëpo, një nga pjesëtarët e brigadës 201, pohon në video se nuk u është dhënë asnjë urdhër ushtarak dhe se nuk kanë qenë të shoqëruar nga oficer.

Ai u ankua se dokumentet e tyre u konfiskuan në Rostov përpara se të dërgoheshin me aeroplan mallrash në Luhansk në Ukrainë.

Tregoi se si ushtarët nuk e dinë se ku janë, cilave njësi i përkasin, kush janë oficerët e tyre dhe cilat janë hapat e tyre të ardhshëm.

Lexo po ashtu Vullnetarët bjellorusë të batalionit Volat që luftojnë kundër rusëve në Ukrainë, tregojnë se çfarë ka mbetur nga Bakhmuti

“Shumë prej nesh nuk janë në gjendje për luftë. Njësitë nuk janë në gjendje të kryejnë detyra luftarake. Shumë kanë nevojë për ndihmë mjekësore që nuk mund të jepet në kushte terreni. Ne gjithashtu do të donim të merrnim dokumentet tona me vula dhe emra zyrtarë që të dimë se ku jemi, me kë jemi të lidhur dhe çfarë funksionesh kryejmë”, theksoi ai.

“Ne nuk kemi asnjë ide se ku jemi, përveç se jemi në rajonin e Luhanskut. Nuk jemi në listën e pagave të Ministrisë së Mbrojtjes”, vazhdoi ai.

Ushtarët po ashtu thanë se nuk i kanë marrë rrogat e premtuara dhe pushimin vjetor, dhe kanë deklaruar se ushtarët e lënduar po kthehen në front.

Lexo po ashtu Ish-pjesëtari i grupit mercenar rus Wagner: Kam vrarë ukrainasen 5-vjeçare, bërtiste dhe e qëllova

“Nuk e dimë se ku po shkojmë pasi nuk kemi përfaqësues”, tha burri në një video të shpërndarë nga War Translated në Twitter.

Astra raportoi gjithashtu se në mesin e grupit të transportuar në Ukrainë nga Rostovi ishin rreth 170 persona, të cilët “u detyruan të nënshkruanin kontrata me kompaninë private ushtarake Wagner”. /Telegrafi/

 

Exit mobile version