Site icon Telegrafi

Ushtarët koreano-verior po kryejnë vetëvrasje për të mos u kapur nga ukrainasit

Ushtarët nga Koreja e Veriut, të cilët luftojnë në anën e Rusisë në Ukrainë, shpesh kryejnë vetëvrasje kur rrethohen nga trupat ukrainase, shkruan reuters duke u mbështetur në disa incidente të raportuara në front.

Konkretisht, reuters shkruan për një incident që ndodhi në frontin në rajonin rus të Kurskut, ku një ushtar nga Koreja e Veriut kryen vetëvrasje me një granatë kur ishte e qartë se do të kapej.

Megjithatë, ky nuk është incidenti i vetëm, dhe ushtarët ukrainas kanë raportuar më shumë raste të ngjashme nga fushëbeteja. Këto pretendime janë konfirmuar gjithashtu nga persona që kanë arratisur nga Koreja e Veriut.

Lexo po ashtu Komandanti ukrainas: Ushtarët e Wagner janë fëmijë në krahasim me koreano-veriorët

Një nga ta, një 32-vjeçar, i cili, nga frika për familjen e tij që ka mbetur në Kore të Veriut dha një deklaratë anonime për reuters, tha se shumë ushtarë të këtij vendi janë “fanatikë” që do të bënin gjithçka për liderin Kim Jong-un, përfshirë edhe vetëvrasjen në rast të mundësisë së kapjes.

“Ky grupi i djemve ka pasur totalisht ‘trurin e larë’, do të bënin gjithçka për liderin”, tha ai.

Ndërkohë që Jong-un thotë se ushtria e tij është “më e fuqishmja në botë”, analistët ushtarakë mendojnë se shkalla e lartë e vdekshmërisë në fushën e betejës në Ukrainë është dëshmi se ata janë ushtarë të papërgatitur për luftën moderne dhe se Rusia i përdor ata si “mish për top”.

Lee Seong-kweun, anëtar i parlamentit të Koresë së Jugut, ndau një histori nga fushëbeteja në Ukrainë që, sipas tij, provon “fanatizmin” e ushtarëve nga Koreja e Veriut.

“Është konfirmuar që një ushtar, që duhej të kapet, e thirri me zë të lartë ‘gjeneralin Kim Jong-un’ para se të nxirrte granatën për të kryer vetëvrasje. Ai nuk mundi ta bënte këtë sepse u vra”, tha Seong-kweun.

Lexo po ashtu Dronët rusë nuk arrijnë të identifikojnë radarin e mbrojtjes ajrore koreano-veriore – e hedhin në erë në Kursk

Gjithashtu, ky politikan i Koresë së Jugut tha se dokumentet e brendshme, të sekuestruara nga ushtarët e Koresë së Veriut në fushën e betejës, treguan se ata kishin udhëzime për të kryer vetëvrasje nëse nuk mund të shmangnin kapjen.

Analistët nga Azia thonë se vetëvrasja është një mënyrë për të mbrojtur familjet e tyre nga kërcënimi i mundshëm nëse ata kapen. Kjo lidhet me parimin që ndjekin ushtarët e Koresë së Veriut, se të kapesh dhe të kthehesh në këtë vend është “një fat më i rrezikshëm” se sa të vdesësh në fushën e betejës.

“Të jesh i kapur është si të jesh tradhtar. Të dorëzohesh është si të jesh tradhtar. Në ushtri gjithmonë është thënë – lëre një plumb për fund”, tha një ish-ushtar i këtij vendi, i cili ka ikur në Kore të Jugut. /Telegrafi/

 

Exit mobile version