Presidenti i Republikës së Maqedonisë, Gjorge Ivanov me rastin e festës kombëtare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, 4 korriku-Dita e pavarësisë, dërgoi urim deri te presidenti i SHBA-së, Barack Obama, transmeton Telegrafi Maqedoni.
‘E shfrytëzoj rastin, edhe njëherë të theksoj se dy shtetet tona i lidh miqësia tradicionale, vlerat e përbashkëta, si dhe partniriteti strategjik në shumë fusha të rëndësishme. Pjesëmarrja aktive e Republikës së Maqedonisë në shumë misione paqësore, si dhe përkushtimi i fuqishëm ndaj koalicionit global për luftën kundër terrorizmit, janë pjesë e rëndësishme e aktiviteteve të përbashkëta në kontekst rajonal dhe multibilateral’, qëndron në urimin e Ivanovit.
Presidenti i Maqedonisë thekson se lartë vlerësohet kontributi i përgjithshëm, si dhe mbështetja e fuqishme dhe e vazhdueshme e SHBA-së për konsolidimin e paqes, demokracisë dhe stabilitetit në rajon, si dhe për realizimin e qëllimeve strategjike të jashtme-politike të Republikës së Maqedonisë. /Telegrafi/