Bashkimi Evropian ka urdhëruar TikTok të ngrijë të dhënat që lidhen me zgjedhjet rumune.
Zyrtarët e BE-së lëshuan një “urdhër mbajtjeje” sipas Aktit të Shërbimeve Dixhitale gjithëpërfshirëse të bllokut, i cili rregullon se si operojnë kompanitë më të mëdha në botë të mediave sociale në Evropë.
Bëhet e ditur se masa vjen në të njëjtën ditë kur Shtetet e Bashkuara shprehën shqetësime për ndërhyrjen e mundshme të huaj në zgjedhjet e Rumanisë, pasi ultranacionalisti pro-rus Calin Georgescu fitoi në raundin e parë të garës presidenciale më 24 nëntor.
Partitë e ekstremit të djathtë gjithashtu performuan mirë në zgjedhjet parlamentare të Rumanisë të dielën e kaluar, megjithëse socialdemokratët e majtë në pushtet u shfaqën si partia më e madhe dhe shpresojnë të krijojnë së bashku një qeveri koalicioni pro-BE, shkruan Reuters, përcjell Telegrafi.
Siç raportohet, dokumentet e deklasifikuara nga zyrtarët rumunë të sigurisë treguan se Georgescu u promovua masivisht në platformën TikTok përmes llogarive të koordinuara, algoritmeve të rekomandimit dhe promovimit me pagesë.
Dokumentet sugjeronin se Rumania kishte qenë objektiv i “sulmeve hibride agresive ruse”.
Ndërsa Rusia ka mohuar çdo ndërhyrje në fushatat zgjedhore të Rumanisë.
Ndryshe, nëse Georgescu pretendon fitoren në votimin e balotazhit të kësaj të diele, ai ka të ngjarë të përpiqet të izolojë Rumaninë dhe të ndryshojë qasjen e saj pro-BE, sipas analistëve dhe diplomatëve. /Telegrafi/