Telegrafi

“Uno” i Capital T, projekti i madh që e sjell reperin në një dimension krejt ndryshe (Foto/Video)

Reperi Capital T është bërë i njohur tashmë për projektet e tij të veçanta dhe të shpeshta që sjell në skenë.

Këto ditë ai do të publikojë projektin e tij më të ri muzikor, këngën dhe klipin “Uno”, domethënia e të cilit është “Një”.

Në një prononcim për Telegrafin, Kapo ka rrëfyer për bashkëpunëtorët e këngës, si dhe paraqitjen në klip, që këtë radhë do të jetë pak më e veçantë.

“Projekti i ri mban titullin “Uno”, është një këngë e realizuar edhe me klip. Muzika është punuar nga Strike, ndërsa producent është Mixey dhe në fakt kjo këngë është pjesë e një projekti më të madh”, tha ai për Telegrafin.

“Uno” si projekt është realizuar edhe me videoklip, i cili do të jetë shumë i veçantë, posaçërisht për ata persona fëmijëria e të cilëve nuk ka kaluar pa parë serialin e animuar më të famshëm mbarëbotëror “Dragon Ball Z”, pasi në “Uno”, Capital T do të shfaqet si personazh i animuar ngjashëm me disa nga protagonistët e serialit.

Kapo më parë nuk ka sjell projekte në formatin e animacionit, gjersa këtë herë ai vendosi të eksperimentojë duke sjell projektin e ri në një dimension krejt ndryshe.

“Po, klipi është punuar me animacione, dhe besoj se do t’i pëlqejë publikut, pasi do të jetë vërtet interesant”, përfundoi reperi për Telegrafin.

Projekti “Uno” publikohet këtë të mërkurë, datë 12 prill, ora 17:00. /Telegrafi/