Telegrafi

Universiteti “Haxhi Zeka” dhe “Terra” bëjnë integrimin e teknologjisë së fundit në inteligjencë artificiale në platformën e tyre në Viber

Universiteti “Haxhi Zeka”, në bashkëpunim me Terra, ka kryer integrimin e teknologjisë së fundit në inteligjencë artificiale – OpenAI, ose ChatGPT, në platformën e tyre në Viber.

Dhe kjo gjë, sipas njoftimit të këtij universiteti, është një hap i madh përpara në fushën e teknologjisë dhe komunikimit.

“ChatGPT është një botë e re e mundësive, e cila mund të ndihmojë në funksione të ndryshme. Ajo mund të ndihmojë në përgatitjen e përmbajtjes për mediat sociale, në hartimin e fjalimeve, në rregullimin gramatikor të teksteve dhe në përgatitjen e e-maileve. Ky është një mjet i çmuar për studentët, mësimdhënësit dhe stafi i Universitetit Haxhi Zeka”, thuhet më tej në njoftim.

Po sipas njoftimit, më e rëndësishmja është se ky chatbot është në çdo gjuhë të botës, duke e bërë atë të përshtatshëm për të gjithë, pa marrë parasysh gjuhën e tyre amtare.

“Ne jemi të lumtur që të jemi pjesë e këtij ndryshimi të madh dhe të ndihmojmë Universitetin Haxhi Zeka të ecë përpara me teknologjinë më të fundit”, është thënë në fund të njoftimit. /Telegrafi/