Telegrafi

Unitedi triumfon në derbi për ta përjashtuar Cityn, ndërsa eliminohet Chelsea (Video)

Manchester Unitedi e ka fituar derbin kundër Manchester Cityt (1-0) në kuadër të Kupës EFL (Kupës së Ligës) për të vazhduar në çerekfinale të kësaj gare.

Të dyja skuadrat ishin të kujdesshme gjatë fraksionit të parë, në të cilin nuk pati gola. Ishte një luftë taktikash ndërmjet Jose Mourinhos dhe Pep Guardiolas.

Rezultati u zhbllokua në gjysmën e dytë. Zlatan Ibrahimovic dërgoi një harkim të ulët në zonë, të cilin e priti Juan Mata për ta dërguar në rrjetë (54’).

Në pjesën e mbetur të ndeshjes nuk pati gola, me Djajtë e Kuq që e ruajtën rezultatin dhe vazhduan në çerekfinale të kësaj gare.

Në ndeshjen tjetër, West Ham Unitedi e ka eliminuar Chelsean duke e mposhtur me rezultat 2-1.

Cheikhou Kouyate (11’) dhe Edimilson Fernandes (48’) shënuan për vendasit, ndërsa golin e vetëm për Blutë e realizoi Gary Cahil në minutat shtesë. /Telegrafi/