Telegrafi

United do ta shes Wan-Bissakan, ka dy opsione për krahun e djathtë të mbrojtjes

Aaron Wan-Bissaka u transferua me shumë bujë te Manchester United tri vite më parë nga Crystal Palace.

Gjiganti anglez kishte shpenzuar hiq më pak se 55 milionë euro për transferimin e anësorit anglez, por ai nuk ka arritur të lë gjurmë në Old Traford.

Mbrojtësi i djathtë e nisi mirë aventurën te Djajtë e Kuq, por pastaj pati rënie të madhe dhe këtë edicion ende nuk ka luajtur asnjë minutë nën urdhrat e Erik Ten Hag.

Daily Mail ka raportuar se United është gati ta pranojë ofertën e Crystal Palace prej 11 milionë eurove për shitjen e anglezit.

Trajneri holandez ka tanimë dy emra në listën e tij për krahun e djathtë të mbrojtjes, kur pas shitjes së Wan-Bissakas do të mbetet vetëm Diogo Dalot.

Reprezentuesi amerikan Sergino Dest si dhe belgu Thomas Meunier janë emrat që pëlqehen nga Manchester United.

Djajtë e Kuq janë gati të shpenzojnë deri në 20 milionë euro për amerikanin ose belgun dhe pritet që t’i nisin ofertat në drejtim të Barcelonës e Borussia Dortmundit.

Gjithsesi largimi i Wan-Bissakas te Crystal Palace duket çështje e kryer dhe zyrtarizimi pritet të ndodhë brenda kësaj jave. /Telegrafi/