Telegrafi

United gati ta lë Pogban t’i bashkohet Realit, por i kërkon një yll të madh në këmbim madrilenëve

Paul Pogba vazhdon ta ketë të paqartë të ardhmen e tij, nëse do të qëndrojë te Manchester United apo do të largohet në drejtim të një klubi të ri.

Interesim për mesfushorin francez kanë shprehur katër gjigantët e mëdhenj evropian si Real Madrid, Paris Saint Germain, Juventus dhe Inter.

Por duket se skuadra favorite për të nënshkruar me francezin është Real Madrid, me trajnerin Zinedine Zidane që po këmbëngul për transferimin e bashkëkombësit të tij.

Djajtë e Kuq janë gati të lejojnë largimin e francezit në drejtim të Real Madridit, por i kanë kërkuar kryeqytetasve spanjoll të përfshijnë një yll të tyre në ofertë.

United kërkon nga Reali që të ofrojë 80 milionë euro plus shërbimet e talentit norvegjez Martin Odegaard në këmbim të Pogbas.

21-vjeçari norvegjez ka shkëlqyer si i huazuar te Real Sociedad duke shënuar shtatë gola dhe duke dhuruar tetë asistime dhe pëlqehet jashtëzakonisht shumë nga Ole Gunar Solskjaer.

Në anën tjetër trajneri Zidane ende nuk ka vendosur nëse do t’i japë rast në edicionin e ri norvegjezit të talentuar.

Mediat spanjolle dhe ato angleze kanë raportuar se ka gjasa të mëdha që Reali të pranojë këtë kërkesë të Djajve të Kuq, pasi Pogba mbetet dëshira më e madhe e Zidanes për repartin e mesfushës. /Telegrafi/