El Clasico e fundit për sezonin 2016/17 mes Real Madridit dhe Barcelonës i takoi këtyre të fundit me rezultatin 2-3.
Ishte një ndeshje fantastike, me shumë raste nga të dyja anët, por në fund u vendos nga ata që nuk shpërdoruan rastet.
Protagonistët e pjesës së parë padyshim që ishin Casemiro dhe Lionel Messi.
Çdo gjë filloi me ndërhyrjen e brazilianit në argjentinasin në minutën e 11-të dhe me kartonin e parë u “tensionua” edhe atmosfera.
Në minutën e 28-shënoi Casemiro, por epërsia e Los Blancos zgjati vetëm pesë minuta, pasi Lionel Messi gjeti rrugën e golit.
Luka Modric (36’) dhe Jordi Alba (43’) kishte raste për gol, por rrjetet mbetën të paprekura dhe pjesa e parë u mbyllë me rezultatin 1-1.
Pjesa e dytë filloi me rastin e Toni Kroos, por edhe Marc-Andre ter Stegen nuk lejoi që gjermani të shënojë, ashtu siç bëri pak minuta më vone Keylor Navas te rasti i Gerard Pique (59’) dhe Luis Saurez (68’).
Në minutën e 73-të Ivan Rakitic shënoi një gol të bukur me të majtën e tij, nga jashtë zona e rreptësisë.
Por, në minutën e 77-të Reali mbeti pa një lojtar, pasi Sergio Ramos u përjashtua me karton të kuq, e gjitha kjo pas ndërhyrjes ndaj Messit.
Kur të gjithë menduan se Barcelona do të dilte fitimtare nga ky takim, në lojë u fut James Rodriguez (82’), i cili pas tre minutash shënoi golin e barazimit, pas asistimit nga Marcelo.
Por, i madhi, unikali, Lionel Messi, i cili është gjithmonë aty për Barcelonë, shënoi golin e fitores, i 500-ti në karrierë për Barcelonën e tij.
Pas kësaj fitore, Barcelona ngjitet në pozitën e parë me 75 pikë, me pikë të barabarta me Realin, por që Reali ka një ndeshje më pak.
Ndeshja e ardhshme e Los Blancos është ndaj Deportivo de La Corunas, kurse katalunasit do të luajnë ndaj Osasunës. /Telegrafi/