Telegrafi

UNICEF dhe Rita motivojnë të rinjtë në Kosovë, Ora: Jam krenare që jam pjesë e këtij kombi, faleminderit për mirëpritjen

Rita Ora (Foto: Ridvan Slivova/Telegrafi)

Organizata botërore e cila u del në ndihmë fëmijëve në nevojë në mbarë botën, UNICEF me filialin e saj në Kosovë, ka mbajtur në Amfiteatrin e Biblitokës së Universitetit të Prishtinës një ngjarje të titulluar “Activate Talks”.

Ngjarja, e cila nisi me prezantimin e programeve të UNICEF-it, së cilit i janë bashkuar shumë adoleshentë, pati shumë të ftuar specialë.

Ndër të pranishmet ishte edhe vet këngëtarja shqiptare me famë botërore, Rita Ora, e cila prej dy ditësh po qëndron në vendlindjen e saj, duke u marrë me disa aktivitete humanitare të organizuara së bashku me UNICEF.

Rita Ora në Prishtinë (Foto: Ridvan Slivova/Telegrafi)

Katër të rinj prezantuan kauzat e UNICEF-it, duke treguar ndër të tjerash edhe histori nga jeta personale, se si dikur ishin të paragjykuar nga shoqëria, por që mesazhi ishte i qartë – të mos dorëzoheshe kurrë.

Adoleshentët e mbështetur nga UNICEF-i ndanë me të pranishmit eksperiencat e tyre nga përvojat personale, duke cituar se vështirësitë drejt suksesit janë të mëdha, por jo të pa arritshme (Foto: Ridvan Slivova/Telegrafi)

Këtij diskutimi më pas iu bashkuan edhe disa nga panelistët, të ftuar special, të cilët shtjelluan misionin që UNICEF tash e sa vite po realizon në Kosovë.

Panelistët e këtij takimi ishin:

Kujtim Gashi – Ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit
Nataliya Apostolova – Shefe e zyrës së BE-së në Kosovë
Gernot Pfandler – Ambasador i Austrisë në Kosovë
Karin Hernmarck Ahliny – Ambasadorja e Suedisë në Kosovë
Ukrika Richardson – Koordinatore e Zyrës së Kombeve të Bashkuara në Kosovë
Bajrush Sezairi, Zv. Ministër i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë

Paneli i të ftuarve diskutuan rreth aktiviteteve që UNICEF vazhdimisht realizon në ndihmë të fëmijëve në Kosovë (Foto: Ridvan Slivova/Telegrafi)

Shefja e zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Aposotolova mori gjithashtu mikrofonin për të thënë se ajo dëshiron sa më shumë inkuadrimin e të rinjve në udhëheqjen e vendit.

Pak a shumë njëlloj u shpreh edhe ambasadori austriak, Gernot Pfandler, i cili tha se vendi i tij ka treguar përkushtim për një arsimim sa më cilësor në Kosovë, ndërsa porositi të rinjtë e vendit që të punojnë sa më shumë, duke mos pritur gjëra të gatshme nga të tjerët.

Pas diskutimit në panel, ishte asistentja Dafina Zuna ajo e cila prezantoi para të gjithëve mysafiren speciale të ngjarjes, atë që të gjithë po e prisnin – ambasadoren tonë Rita Ora.

Ambasadorja e Kosovës, Rita Ora, mbajti fjalim emocionues për të rinjtë në Kosovë (Foto: Ridvan Slivova/Telegrafi)

Me një mirëpritje madhështore dhe duartrokitje të shumta, Rita Ora arriti e buzëqeshur në sallën e mbushur plot të rinj dhe aktivistë te UNICEF-it.

Ajo tha se dy ditët e fundit që kaloi në Kosovë, ishin të mbushura me aktivitete në ndihmë të komunitetit tonë.

“Faleminderit shumë të gjithëve, jam Rita, jam shumë e lumtur që jam këtu. Unë kam qëndruar këtu në Kosovë prej dy ditësh, ne bëmë një udhëtim të pabesueshëm me UNICEF-in gjatë këtyre dy ditëve të shkuara”, ka thënë Rita Ora.

Rita Ora e lumtur dhe entuziaste që ndodhej me mision bamirësie në Kosovë (Foto: Ridvan Slivova/Telegrafi)

Më pas, ajo ka falënderuar të gjithë shqiptarët për mirëpritjen, ndërsa i ka përshëndetur të pranishmit, duke u kërkuar atyre që të qëndrojnë të bashkuar dhe të jenë gjithnjë në shërbim të nevojave të komunitetit.

“Me të vërtetë po mundohem që ta ndihmoj rininë kosovare. Jam e mrekulluar me punën që po bëjnë të rinjtë dhe jam krenare se jam pjesë e këtij kombi. Me të vërtetë jam e lumtur që kam takuar shumë heronj të ri. Faleminderit që më keni pritur”, ka thënë më tej Rita Ora.

E njëjta gjatë ditës, bashkë me të ëmën e saj, Vera Sahatçiu – Ora, kanë vizituar kopshtin “Shtëpia Magjike”, duke gëzuar dhjetëra fëmijë me prezencën e saj.

Rita Ora gjatë ditës vizitoi edhe fëmijët e kopshtit “Shtëpia Magjike” (Foto: Kopshti Shtëpia Magjike/Facebook)

Rita përndryshe do të qëndrojë në Kosovë deri më datë 11 prill, dhe më pas do të largohet për në Dubai, atje ku do të vazhdojë turin e saj të koncerteve “Phoenix”.

UNICEF promovon të drejtat e mirëqenies së secilit fëmijë, në të gjitha ato që bën. Së bashku me partnerët e tyre, ata punojnë në 190 vende dhe territore për të shndërruar këtë zotim në veprim praktik, duke përqendruar përpjekjet e veçanta për të depërtuar deri tek fëmijët më të margjinalizuar dhe të anashkaluar, për përfitim të gjithë fëmijëve. /Telegrafi/

Rita Ora dhe UNICEF motivuan të rinjtë në Kosovë (Foto: Ridvan Slivova/Telegrafi)