Organizata botërore e cila u del në ndihmë fëmijëve në nevojë në mbarë botën, UNICEF me filialin e saj në Kosovë, ka mbajtur në Amfiteatrin e Biblitokës së Universitetit të Prishtinës një ngjarje të titulluar “Activate Talks”.
Ngjarja, e cila nisi me prezantimin e programeve të UNICEF-it, së cilit i janë bashkuar shumë adoleshentë, pati shumë të ftuar specialë.
Ndër të pranishmet ishte edhe vet këngëtarja shqiptare me famë botërore, Rita Ora, e cila prej dy ditësh po qëndron në vendlindjen e saj, duke u marrë me disa aktivitete humanitare të organizuara së bashku me UNICEF.
Katër të rinj prezantuan kauzat e UNICEF-it, duke treguar ndër të tjerash edhe histori nga jeta personale, se si dikur ishin të paragjykuar nga shoqëria, por që mesazhi ishte i qartë – të mos dorëzoheshe kurrë.
Këtij diskutimi më pas iu bashkuan edhe disa nga panelistët, të ftuar special, të cilët shtjelluan misionin që UNICEF tash e sa vite po realizon në Kosovë.
Panelistët e këtij takimi ishin:
Kujtim Gashi – Ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit
Nataliya Apostolova – Shefe e zyrës së BE-së në Kosovë
Gernot Pfandler – Ambasador i Austrisë në Kosovë
Karin Hernmarck Ahliny – Ambasadorja e Suedisë në Kosovë
Ukrika Richardson – Koordinatore e Zyrës së Kombeve të Bashkuara në Kosovë
Bajrush Sezairi, Zv. Ministër i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë
Shefja e zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Aposotolova mori gjithashtu mikrofonin për të thënë se ajo dëshiron sa më shumë inkuadrimin e të rinjve në udhëheqjen e vendit.
Pak a shumë njëlloj u shpreh edhe ambasadori austriak, Gernot Pfandler, i cili tha se vendi i tij ka treguar përkushtim për një arsimim sa më cilësor në Kosovë, ndërsa porositi të rinjtë e vendit që të punojnë sa më shumë, duke mos pritur gjëra të gatshme nga të tjerët.
Pas diskutimit në panel, ishte asistentja Dafina Zuna ajo e cila prezantoi para të gjithëve mysafiren speciale të ngjarjes, atë që të gjithë po e prisnin – ambasadoren tonë Rita Ora.
Me një mirëpritje madhështore dhe duartrokitje të shumta, Rita Ora arriti e buzëqeshur në sallën e mbushur plot të rinj dhe aktivistë te UNICEF-it.
Ajo tha se dy ditët e fundit që kaloi në Kosovë, ishin të mbushura me aktivitete në ndihmë të komunitetit tonë.
“Faleminderit shumë të gjithëve, jam Rita, jam shumë e lumtur që jam këtu. Unë kam qëndruar këtu në Kosovë prej dy ditësh, ne bëmë një udhëtim të pabesueshëm me UNICEF-in gjatë këtyre dy ditëve të shkuara”, ka thënë Rita Ora.
Më pas, ajo ka falënderuar të gjithë shqiptarët për mirëpritjen, ndërsa i ka përshëndetur të pranishmit, duke u kërkuar atyre që të qëndrojnë të bashkuar dhe të jenë gjithnjë në shërbim të nevojave të komunitetit.
“Me të vërtetë po mundohem që ta ndihmoj rininë kosovare. Jam e mrekulluar me punën që po bëjnë të rinjtë dhe jam krenare se jam pjesë e këtij kombi. Me të vërtetë jam e lumtur që kam takuar shumë heronj të ri. Faleminderit që më keni pritur”, ka thënë më tej Rita Ora.
E njëjta gjatë ditës, bashkë me të ëmën e saj, Vera Sahatçiu – Ora, kanë vizituar kopshtin “Shtëpia Magjike”, duke gëzuar dhjetëra fëmijë me prezencën e saj.
Rita përndryshe do të qëndrojë në Kosovë deri më datë 11 prill, dhe më pas do të largohet për në Dubai, atje ku do të vazhdojë turin e saj të koncerteve “Phoenix”.
UNICEF promovon të drejtat e mirëqenies së secilit fëmijë, në të gjitha ato që bën. Së bashku me partnerët e tyre, ata punojnë në 190 vende dhe territore për të shndërruar këtë zotim në veprim praktik, duke përqendruar përpjekjet e veçanta për të depërtuar deri tek fëmijët më të margjinalizuar dhe të anashkaluar, për përfitim të gjithë fëmijëve. /Telegrafi/