Telegrafi

“Unë jam ndryshe nga të tjerët”, Ronaldo lavdëron veten pas dy golave me Al Nassr

Cristiano Ronaldo nuk ka hezituar ta lëvdoj veten në konferencën për shtyp pas fitores së fundit të Al Nassr ndaj Al Duhail në kuadër të Ligës së Kampionëve të Azisë.

Portugezi shënoi dy gola spektakolar në Ligën e Kampionëve të Azisë kundër Al Duhail dhe i dha fitoren skuadrës së tij Al Nassr.

Në fund të ndeshjes ai ishte protagonist në sallën e shtypit të stadiumit të tij dhe shprehu edhe një herë besimin që ka tek vetja.

“Nuk më interesojnë rekordet. Ajo që mendoj është të shijojmë momentin, skuadra jonë po bëhet gjithnjë e më e mirë. Trajneri dhe ekipi teknik na kanë ndihmuar shumë për ta vendosur skuadrën e Al Nassr në krye. Argëtim, mendoj se kjo është fjala kyçe në atë që kam bërë”, ka thënë fillimisht Ronaldo.

Cristiano këmbënguli për momentin e tij të lojës dhe karrierën e tij.

“Natyrisht që do të ishte një gënjeshtër të thuash se nuk jam i lumtur të shënoj gola dhe të luaj mirë. Por Cristiano nuk është si gjithë të tjerët. Unë jam ndryshe nga të tjerët, kjo është arsyeja pse unë vazhdoj të luaj dhe të bëjë gjëra të mira”, përfundoi portugezi.

Në këtë fillim sezoni, shifrat e Cristianos janë spektakolare. Ai ka shënuar 24 gola dhe ka dhënë shtatë asistime në 22 ndeshje mes Al Nassr dhe Kombëtares së Portugalisë. /Telegrafi/