Telegrafi

‘Unë jam Hakani, unë jam Interi’ – Calhanoglu e bart në rrjetet sociale ‘duelin’ me Milanin

(Foto: Twitter/Inter)

Hakan Calhanoglu ka vazhduar me kundërthëniet kundrejt Milanit dhe tifozëve të ish-klubit të tij.

Mesfushori, i cili i braktisi Rossonerët gjatë verës për t’iu bashkuar rivalit të përbetuar, Inter, të dielën mbrëma zhvilloi Derby della Madonnina me fanellën e klubit zikaltër.

Gjatë sfidës që përfundoi me rezultat 1-1, ai e nxori një penallti, e mori përgjegjësinë dhe e konvertoi në gol, më pas festoi duke u drejtuar kah Curva Sud me duart prapa veshëve, si edhe iu drejtua me disa fjalë bankës së Milanit.

Kjo nxiti reagimin e Alessandro Florenzit, i cili hyri në fushë nga banka rezervë për t’u konfrontuar, porse u ndal nga gjyqtari i katërt dhe stafi i kuqezinjve.

Lexo po ashtu Florenzi nuk u përmbajt, ai hyri në fushë nga banka rezervë gjatë festimit provokues të Calhanoglut

Mirëpo, Calhanoglu nuk është ndalur me kaq. Ai e ka vazhduar ngacmimin edhe në rrjetet sociale.

Gjatë të hënës e ka publikuar videon e golit të tij në Instagram me përshkrimin që është edhe moto e Nerazzurrëve: “Unë jam Hakani, unë jam Interi”. /Telegrafi/