Site icon Telegrafi

I ulur në karrocë, Kurti solidarizohet me personat me aftësi të kufizuar

Me rastin e 1 Marsit – Ditës Ndërkombëtare të Përdoruesve të Karrocës, kryeministri Albin Kurti ka pritur në takim përfaqësuesit e Handikosit.

Kryeministri dhe kabineti i tij i kanë pritur përfaqësuesit ulur në karrocë, në shenjë solidariteti me ta.

Në këtë takim, Kurti ka thënë se synimi i Qeverisë është të ofrojë mundësi dhe qasje të barabartë për të gjithë, mundësi për pjesëmarrje aktive në shoqëri, lëvizje të lirë dhe jetë të dinjitetshme.

“Në takim u bisedua për procesin e Amandamentimit të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, të iniciuar nga Zyra e Kryeministrit,  për përfshirjen e Konventës së Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuar në Kushtetutë, konkretisht Neni 22”, thuhet në njoftimin për media.

Gjatë ditës, përfaqësuesit e Handikosit do të takohen edhe me presidenten, Vjosa Osmani dhe me kryeparlamentarin, Glauk Konjufca.

Ndryshe, Dita Ndërkombëtare e Përdoruesve të Karrocës shënohet çdo vit në mbarë botën, për të shprehur ndikimin pozitiv që karroca ka në jetën e përditshme të personave që janë përdorues të tyre.

Kjo ditë për herë të parë në Kosovë është shënuar në vitin 2019. /Telegrafi/

 

 

Exit mobile version