Kriza te Juventusi është duke u thelluar, ndërsa tifozët ultras e kanë kritikuar kapitenin Leonardo Bonucci.
Janë duke qarkulluar thashetheme se zëvendëspresidenti Pavel Nedved dëshiron ta shkarkojë trajnerin Massimiliano Allegri, por këtë nuk e ka lejuar presidenti Andrea Agnelli. Ndërkaq, tifozët janë duke protestuar derisa lojtarët duken të habitur nga situata.
Tash, ultrasit e kanë lëshuar një komunikatë në rrjetet sociale, pasi Bonucci e afroi skuadrën te sektori i mbështetësve të Zonjës së Vjetër për ‘të kërkuar falje’ pas humbjes nga Monza të dielën.
“Jemi përballë skenave që nuk i kuptojmë dhe nëse diçka na duket për të qeshur dhe qesharake, është mendimi i dikujt që e konsideron veten të larguar, por vepron si një viktimë sakrifikuese”.
“Bonucci kurrë nuk ka qenë lider dhe nuk do të jetë kurrë: as te Treviso, as te Pisa, as te Bari, as te Milani dhe sigurisht jo te Juventusi…”.
“Në këtë moment konfuzioni të përgjithshëm, brenda dhe jashtë fushës, ka anarki totale dhe kushdo që e ndjen veten e deklaron veten ekspert, lider, shef apo figurë përgjegjëse pa pasur karizmin apo njohjen e njerëzve që kanë qenë këtu për shumë vite”.
“Nëse ka një hierarki, ka një arsye për këtë. Një ushtar i mirë nuk është domosdoshmërisht një gjeneral i mirë”, thuhet mes tjerash në deklaratën e ultrasve, të cilët janë zemëruar sidomos ndaj tentativës për të kërkuar falje ndaj tyre në tribunat e stadiumit U-Power.
“Të marrësh lojtarë profesionistë si qengjat kurbane për të qëndruar te Curva, derisa marrin fishkëllima dhe ofendime, duke i dhënë legjitimitet protestave vetëm një muaj pas fillimit sezonit, është thjesht absurde. Rezultati i vetëm mund të jetë krijimi i një ekipi të dobët që rëndohet nga negativiteti dhe një kompleks viktimash”.
“Kjo është pikërisht e kundërta e asaj që nevojitet në këtë sport. Ju po dëmtoni shokët dhe skuadrën tuaj më shumë se çdo trajner apo drejtor i paaftë.
“Roli i ultrasve (atyre realë) është të mbështesin ekipin për aq kohë sa është e mundur për ta bërë këtë. Sa për protestat dhe justifikimet, të dashur ‘separatistë’, ka kohë deri në fund të sezonit ose duhet një ndërhyrje nga brenda”.
“Nëse ju (disa lojtarë) jeni përgjegjës për këtë rrëmujë, duhet të keni turp për veten tuaj dhe në vend të kësaj po përpiqeni ta përdorni këtë situatë nga injoranca ose për përfitime personale”.
“Besimi ekziston, nëse do të kishim diçka për t’ju thënë, do ta kishim bërë në terrenin stërvitor Continassa, duke ju shikuar në sy ashtu siç kemi bërë gjithmonë, jo në fushë para kundërshtarëve, duke na bërë neve dhe juve të dukeshim qesharakë dhe të dobët”.
“Kushdo që vesh fanellën e Juventusit duhet të ulë kokën vetëm para njerëzve të tyre dhe askujt tjetër, përfshirë mediat”.
“Gjithçka që duhet është një vështrim nga fusha drejt tribunës, duke përshëndetur me dorën e ngritur dhe jo një festë të çmendur që ne ta dimë se po kërkoni falje”.
“Dhe në fund, lojtarët nuk e marrin fajin që kanë vetëm drejtorët dhe presidenti jokompetent dhe për të cilin ata duhet të përgjigjen”, kanë theksuar tifozët ultras të Juventusit.
Në të njëjtën kohë, ka gjithashtu një protestë në rritje në mediat sociale duke vënë në dukje se Allianz Juventus Stadium është gjithnjë e më i zbrazët këtë sezon dhe ka pasur 9.000 bileta sezoni më pak të shitura se në sezonin 2021/2022. /Telegrafi/