Partia Liberale Demokratike e Rusisë (LDPR) po punon për një projektligj që do të ndalonte përkohësisht udhëtimin në “vendet armike” nga të afërmit e zyrtarëve të rangut të lartë.
Rusia i vëzhgon të gjitha vendet që kanë vendosur sanksione ndaj saj, për shkak të fushatës ushtarake në Ukrainë si “armiqësore”, transmeton Telegrafi.
Duke cituar anëtarin e Dumës ruse Sergei Karginov, kufizimet mund të prekin, ndër të tjera, zyrtarët e zbatimit të ligjit, gjyqtarët, menaxherët e lartë të korporatave shtetërore dhe bordin e drejtorëve të Bankës Qendrore.
“Tani, kur Rusia është e detyruar të përballet me një grup vendesh perëndimore të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara që provokuan konfliktin në Ukrainë, udhëtime të tilla nuk janë vetëm të papranueshme, por edhe të rrezikshme”, tha Karginov.
Rusia nisi pushtimin e Ukrainës në shkurt 2022, duke e quajtur atë një “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar dhe ‘denazifikuar’ fqinjin e saj.
Kievi dhe aleatët e tij e quajnë luftën, në të cilën u vranë mijëra njerëz, një agresion të paprovokuar për të pushtuar vendin.
Pavarësisht nga emri i saj, Partia Liberale Demokratike e Rusisë (LDPR) ka përkrahur një ideologji të vijës së ashpër, ultra-nacionaliste që nga themelimi i saj në 1991, duke kërkuar që Rusia të ripushtojë tokat e ish-Bashkimit Sovjetik.
Nuk ishte menjëherë e qartë se kur LDPR do ta sillte projektligjin në Duma, dhoma e ulët e parlamentit rus, për shqyrtim. /Telegrafi/