Dhjetra qytetarë serbë mëngjesin e së mërkurës janë janë mbledhur para stacionit policor në veri të Mitrovicës.
Ata po kërkojnë lirimin e katër personave, të cilët kishin sulmuar zyrtarët policorë.
Protestuesit mbanin pankarta me mbishkrimin “Lironi fëmijët tanë” dhe “Policia e Kurtilandit”, si dhe përdorën bilbila për të shprehur pakënaqësinë e tyre.
Në protestë ishte i pranishëm edhe anëtari i partisë Demokracia Serbe, i cili pretendon se Policia e Kosovës po përdor forcë të tepruar.
Gazetarja e Telegrafit Blinera Mehmeti e cila po qëndron në veri, ka thënë se situata është e qetë dhe në orët e pasditës numri i protestuesve është ulur ndjeshëm.
Njësia Speciale është pozicionuar në afërsi të stacionit policor, ndërsa në fund të stacionit është vendosur edhe një autoblindë e Policisë.
Po ashtu pjesëtarët e Policisë në Mitrovicë të Veriut shihet se kanë veshur jelekët antiplumb.
Katër të arrestuarit në veri rreth orës 14:00, kanë mbërritur para Gjykatës Themelore në Mitrovicë të Veriut.
Më 10.09.2024, qytetarët me inicialet R. N., 20 vjeçar, L. K., 19 vjeçar, V. J., 21 vjeçar dhe M. M., 19 vjeçar, të nacionalitetit serb u arrestuan nën dyshimet se kanë ofenduar, pastaj sulmuar zyrtarë policorë gjatë kryerjes së detyrës së tyre./Telegrafi/