Telegrafi

Ukrainasja ankohet se rusët i vodhën bojlerin dhe gjësende të tjera nga shtëpia e saj

Një refugjate ukrainase në Mbretërinë e Bashkuar thotë se ajo ka spikatur sendet si duket të grabitura nga shtëpia e saj, që gjendeshin mbi një tank rus në një fotografi të fundit.

Sipas BBC, përcjell Telegrafi, Alina Koreniuk thotë se kutia në foto përmban një bojler të ri që ajo planifikonte ta instalonte para se të fillonte lufta.

Ajo dhe fëmijët e saj u larguan nga Ukraina më 8 prill dhe për momentin po qëndrojnë me një çift britanik në Nottinghamshire.

Fotografia, për të cilën flet ukrainasja, e bërë në fund të majit, tregon tankun duke lëvizur pranë ndërtesave të banimit të bombarduara në qytetin e Popasna.

Forcat ruse e kanë në kontroll qytetin, në rajonin e Luhansk, që nga 8 maji.

Koreniuk thotë se fotografia është bërë në një rrugë vetëm pesë minuta larg shtëpisë së saj.

Fillimisht u pa nga bashkëshorti i saj.

“Ai tha: ‘A po vëren diçka të çuditshme në këtë foto’, dhe më pyeti nëse pashë atë që ai pa në të’”, tha ajo për BBC.

Përveç bojlerit, sendet e tjera në tank përfshijnë një mbulesë tavoline nga shtëpia verore e familjes, çarçafë të rinj Disney për fëmijët e saj dhe një batanije të kuqe, thotë ajo.

Batanija e krevatit u përdor për të mbuluar diçka, shtoi Koreniuk, ndoshta një televizor ose pajisje tjetër elektronike, të cilat ishin lënë në shtëpi kur ata u detyruan të largoheshin. /Telegrafi/