Telegrafi

Ukrainasit i zënë rob lufte rreth 200 ushtarë rusë

Gjeneral-majori ukrainas Boris Kremenetsky, gjatë një konference ka pranuar se kanë zënë rob rreth 200 ushtarë rusë që ishin dobët të përgatitur, shkruan CNN.

“I kemi zënë rob rreth 200 ushtarë rusë, ku disa prej tyre nuk ishin fare të trajnuar dhe përgatitur. Jemi duke i trajtuar sipas Konventës së Gjenevës”, tha Krementsky, që aktualisht është zyrtar në ambasadën e Ukrainës në SHBA, transmeton Telegrafi.

Krementsky ka shtuar se ushtarëve u është lejuar t’i telefonojnë prindërit dhe se u kanë dhënë ushqim e ujë. Gjenerali theksoi se bashkëpunon ngushtë me Pentagonin dhe se Ukraina ka nevojë për ndihmë ushtarake.

“Kemi nevojë për ndihmë shtesë. Ju siguroj se gjithçka që na është dhënë deri më tani është përdorur në mënyrën më të mirë”, shtoi ai. /Telegrafi/