Telegrafi

Ukrainasit publikojnë pamjet e shkatërrimit të tankut rus T-80

Forcat speciale ukrainase nga qendra për operacione speciale Alpha, kanë publikuar videon e shkatërrimit të tankut rus T-80.

“Armiku për pak kohë ka shkaktuar probleme (trupave tona), duke përdorur taktikën e tankeve të shpejta për sulme. Por kjo nuk u zgjati shumë, pasi një prej atyre tankeve është shkatërruar nga grupi taktik i luftëtarëve nga qendra për operacione speciale SSU Alpha”, thuhet në kumtesën e ministrisë ukrainase të Mbrojtjes, transmeton Telegrafi.

Kujtojmë që tanku rus T-80 prodhohet nga viti 1976, dhe është prodhuar në më shumë se 5 mijë njësi.

E sipas të dhënave të ueb-faqes Oryx që analizon dhe konfirmon shkatërrimin e pajisjeve ushtarake në Ukrainë, thuhet se janë shkatërruar mbi 340 variante të ndryshme të tankut T-80 që Rusia i dërgoi në Ukrainë.

Deri më tani është konfirmuar se Rusia në luftën e Ukrainës i ka humbur mbi 1.500 tanke, si dhe mijëra mjete tjera të blinduara.

Në anën tjetër të shkatërruara ka shumë aeroplanë, helikopterë, dronë, njësi artilerike, kamionë e municion. /Telegrafi/