Forcat ruse po djegin ushtarët e tyre të vrarë në Ukrainë për të mbuluar shkallën e humbjeve të tyre, tha zëvendësministrja e Mbrojtjes e Ukrainës, Hanna Maliar.
Ajo tha se qindra ushtarë rusë po vriten çdo ditë në lindje dhe jug të vendit, ndërsa Kievi vazhdon kundërofensivën që filloi rreth 4 qershorit, transmeton Telegrafi.
Maliar tha në Telegram se komanda ruse po përpiqet të fshehë humbjet duke i hedhur trupat në territoret e pushtuara, në vend që të transportojë mbetjet në Rusi.
Ajo theksoi se forcat ruse po i sjellin të vdekurit nga rajoni Kherson në morgun në rrethin Chaplinsi.
Gjithashtu pranoi se afër Melitopolit në rajonin e Zaporizhzhia, i cili ishte i pushtuar nga rusët, “trupat e ushtarëve rusë digjen pothuajse vazhdimisht në natyrë”.
Ajo tha se ata janë sjellë me kamionë dhe se “popullata vendase ka kohë që nuhat tymin karakteristik të pakëndshëm”.
Deklaratat e saj vijnë pasi disa ditë më parë Kievi vlerësoi se numri i ushtarëve rusë të vdekur që nga fillimi i luftës i kalonte 250 mijë.
Rusia nuk e ka përditësuar numrin e saj të vdekjeve që nga shifra prej pak më pak se 6,000 e publikuar në shtator 2022. /Telegrafi/