Ministria ukrainase e Mbrojtjes, ka paralajmëruar trupat ruse në rajonin e Khersonit me një video të cilën e ka titulluar “ikni ose do të vdisni”.
Videoja është shpërndarë nga kjo ministri në Twitter, ku shihen ushtarët rusë duke ikur nga fushëbeteja, transmeton Telegrafi.
“Një mesazh për ‘mysafirët’ tonë rusë që aktualisht janë në rajonin e Khersonit”, thuhet në videon e postuar nga ukrainasit.
Në video shihen ushtarët ukrainas duke shkrepur raketa dhe bomba të ndryshme si dhe shfaq snajperistët e Kievit, që futin në objektiv trupat ruse.
“I keni dy opsione, ikni ose vdisni”, vazhdimisht dëgjohet kjo thënie në prapavijë të videos.
Ndryshe ky rajon gjendet në veri të Gadishullit të Krimesë që është aneksuar nga rusët, dhe për ukrainasit shihet si një prej objektivave më të rëndësishme.
Për ta rimarrë këtë vend nën kontroll, ukrainasit kanë filluar kundërofensivën të cilën e kanë paralajmëruar prej muajsh.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, vazhdimisht ka theksuar se asnjë pëllëmbë e territorit të Ukrainës nuk do t’i jepet Rusisë. /Telegrafi/
Run, Rabbit, Run! pic.twitter.com/7A5eKfWKXm
— Defense of Ukraine (@DefenceU) August 31, 2022