Kundërshtarët e Vladimir Putinit në Ukrainë, Rusi dhe Bjellorusi, janë bashkuar me një peticion duke kërkuar që Zvicra të dëbojë ‘të dashurën’ e presidentit rus, Alina Kabaeva, mes pretendimeve se po fshihet me fëmijët e tyre në një vilë luksoze.
Kabaeva, 38-vjeçare, është një ish-atlete, fituese e Medaljes së Artë Olimpike, që besohet se është partnerja e Putinit dhe nëna e fëmijëve të tyre të fshehtë, të cilët ai kurrë nuk i ka bërë publikë.
Peticioni vjen mes raporteve se Kabaeva, dikur e quajtur “gruaja më fleksibile e Rusisë”, u dërgua në një shtëpi private në Zvicër në fillim të këtij muaji mes pushtimit të Ukrainës.
“Pavarësisht luftës aktuale, Zvicra vazhdon të presë një bashkëpunëtore të regjimit të Putinit”.
Perëndimi deri më tani nuk e ka sanksionuar Kabaevën, e cila përveç se është e dashura sekrete e përfolur e Vladimirit, është gjithashtu kryetare e bordit të drejtorëve në National Media Group – një gjigant i madh televiziv dhe gazetash i bindur nga Kremlini – me një pagë prej gati tetë milionë funtesh në vit.
Dyshja janë fotografuar së bashku në disa raste dhe hetimet nga Fondacioni Anti-Corruption, i krijuar nga kundërshtari i burgosur i Putinit, Alexei Navalny, zbuluan se disa oligarkë rusë në mënyrë të pashpjegueshme i kanë dhënë dhurata të pronave, parave dhe pasurive të tjera familjes së Kabaevas.
Ish-atletja e famshme ndërkohë shihet rrallë në publik.
“Ne, qytetarët e Rusisë, Bjellorusisë dhe Ukrainës, e cila aktualisht po kalon vuajtje të jashtëzakonshme, po bashkohemi për t’iu drejtuar autoriteteve zvicerane”, thuhet në peticionin, i cili u postua në change.org në gjermanisht, frëngjisht dhe anglisht.
Ky peticion tanimë ka marrë pothuajse 55,000 nënshkrime.
“Publiku sapo mësoi se figura politike dhe mediatike ruse dhe ish-atletja, Alina Kabaeva, po fshihet nga pasojat e sanksioneve të vendosura ndaj Federatës Ruse në vendin tuaj”.
“Duke qenë se ajo është mbështetëse e aktiviteteve sociale në Rusi, ajo është përpjekur t’i mësojë qytetarët rusë me realitetin e sanksioneve pas vitit 2014 dhe personalisht ka deklaruar: ”Sa më keq të bëhet, aq më mirë për ne”.
Putin në anën tjetër u divorcua nga gruaja e tij, Lyudmila në 2013 dhe nuk pranon të flasë për jetën private. /Telegrafi/